Në fshatin Llugë të Podujevës u përurua sot shtatorja e heroit të kombit Afrim Zhitia, si dhe u bë rinovimi i obeliskut dhe mjedisit përreth.
Në fjalën e tij, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, theksoi rëndësinë e kujtesës historike dhe nderimit të figurave kombëtare, duke përmendur rezistencën heroike të Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut.
“Sot, në vendlindjen e Afrimit, po i shtohet edhe një vepër komemoruese publike djalit të Llapit dhe heroit të Kosovës”, u shpreh ai.
“Shoqëritë më përparimtare të botës kanë sjellë politika të ndryshme të kujtesës për ngjarjet e tyre historike dhe për figurat më të rëndësishme kombëtare. Kështu, vitin e kaluar, më 2 nëntor 2024, u patëm takuar bashkë në akademinë në Prishtinë. Fahri Fazliu dhe Afrimi rezistuan të armatosur deri në vdekje. Sivjet, derisa po i afrohemi dekadës së katërt, jemi bashkuar në fshatin Llugë, në vendlindjen e Afrimit. Sot po i shtohet edhe një skulpturë, një vepër monumentale publike e komemorimit të Afrim Zhitisë, djalit të Llapit dhe heroit të Kosovës”, shtoi ai.



















