Përtej kufijve

E publikuar: 07/10/2016 19:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga – Jona Draçini

“Numri i të vdekurve kalon shifrën njëqind. Një masakër e vërtetë në Paris. Sulmet terroriste kanë tronditur Francën dhe botën. Terroristët kërcënojnë duke thënë se do ketë sulme në metropole të tjera.”

Kronika e lajmeve vijon me një video ku shfaqet nje xhihadist shqiptar nga Kaçaniku i Kosovës duke thënë : “Kini frikë dhe druhuni se ne kemi me vete Allahun. Do vimë në shtëpitë tuaja në vendin tuaj. Do ju djegim. Ne kemi Zotin tonë me vete. Fitorja na takon ne.”

Fjalët e xhihadistit thyejnë qetësine duke krijuar te unë një ndjesi zbrazëtie dhe konfuziteti. Shumë afër njëra-tjetres qëndrojnë fjalët “djegim” dhe “Zot”. Kërcënimi drithërues mban brenda emrin e Zotit dhe bëhet për hir të kënaqësisë së Tij. Gjithë vrasjet dhe masakrat të ashtuquajturit “luftëtarët e shtetit islamik” i bëjnë në emër të Zotit. Masakra në Paris, masakra në Kenya, masakrat në Siri, vrasjet brutale të gazetarëve amerikanë, kokat e prera janë për Zotin. Një kronikë tjetër thekson faktin se Kaçaniku në Kosovë është kryeqyteti europian i shtetit islamik. Një numër i konsiderueshëm djemsh nga Kaçaniku kanë shkuar të luftojnë pa e kuptuar se “ideali” për të cilin luftojnë është një farsë e madhe tani dhe deri në fund të kohëve pasi të vrasësh në emër të Zotit është shtrembërimi më i madh që mund t’i bëhet fesë, idealeve, të vërtetës dhe dashurisë.

Po të hedhim një vështrim kritik në historinë njerëzore do të kuptojmë se terrorizmi është fenomeni i dytë më i rrezikshëm që i kanoset njerëzimit pas regjimeve ateiste të shekullit të XX, si Kina komuniste, Rusia komuniste dhe Gjermania naziste. Numri i njerëzve të masakruar nga këto regjime është më shumë se 100 milion, duke i shtuar kësaj shifre edhe një numër të madh njerëzish që përjetuan torturat brutale dhe eksperimetet që u bënë në kampet naziste. Mendoj se ka disa ngjashmëri të thella mes shtetit islamik dhe shtetit komunist. Të dy këto sisteme marrin jetë, pra nxisin vrasjen, por ajo që është më shqetësuese është fakti se vrasin pa mëshirë elementët themelorë përbërës të jetës: shpresën, dashurinë, ëndrrat, besimin dhe tolerancën. Thellësisht besoj se të dy këto sisteme tentojnë të zhdukin shpresën duke vrarë qëllimin që mbush me kuptim jetën. Dhe është ky fakt që i shndërron në dukuritë më të rrezikshme që ka përjetuar njerëzimi deri më sot pasi lënë pas vuajtje të përjetshme dhe horizonte të tëra pa shpresë. Nga këndvështrimi im si një besimtare qëllimi që i jep kuptim jetës dhe prodhon përjetësisht shpresë është ekzistenca e një Zoti që na do. Por ku qëndron figura e Zotit te keto dy fenomene kaq problematike, njëri një e shkuar që rëndon, tjetri një e tashme që dhemb? Pse është kaq i rëndësishëm krahasimi mes tyre dhe a mund ta vrasin dhuna dhe terrori përfundimisht shpresën?

Një komponent shumë i rëndësishëm i diktaturave ishte ateizmi, bindja se Zoti nuk ekzistonte. Pra komunizmi është një sistem ku figura e Zotit mungon dhe feja trajtohet si një gënjeshtër e madhe e krijuar nga njerëzit që duhet ç’rrënjosur. Më vijnë në mendje disa fjalë të mençura të një akademiku amerikan i cili thotë: “Ajo që Hitleri nuk e besonte, që Stalini nuk e besonte, që Maoja, Gestapoja nuk e besonin ishte që Perëndia po shikonte ato që po bënin“. Shkrimtarë, psikologë të tërë janë përpjekur të analizojnë këta lidera që krijuan faqet e errëta të historisë, por besoj se ishte ky shkrimtar ai që ka kuptuar origjinën e vërtetë të krimit dhe vuajtjeve të shkaktuara. Sistemi komunist krijoi një frymë narciste dhe egocentrike me të cilën u ushqyen dhe u formuan individë që mendojnë se janë Zoti në një botë pa Zot. Dua të theksoj faktin se edhe mes ateistëve ka shumë persona të njerëzishëm dhe se jo gjithmonë mungesa e besimit çon në krime por boshllëku që krijon kjo mungesë i kombinuar me elementë psikologjikë dhe ambiental shpeshherë është një faktor nxitës drejt së gabuarës.

Njerëzimit i kanoset një rrezik akoma më i madh, prezent kryesisht dhjetëvjeçarët e fundit, terrorizmi. Njerëz të tërë, kryesisht meshkuj, luftojnë një lufte që thonë se është e Zotit. Ata kërkojnë me çdo kusht që shteti islamik të mbizotërojë duke tentuar të prishin ekuilibra të rëndësishëm që sigurojnë paqe dhe mirëkuptim mes shteteve, besimeve fetare dhe njerëzve me botëkuptime të ndryshme. Por a është e drejtë një gjë e tillë? Patjeter që është padrejtësi shumë e madhe tentativa për të injektuar rregulla dhe stile jetese duke sakrifikuar jetë njerëzore që konsiderohen te shenjta nga çdo besim fetar. Dua të citoj një frazë të Ungjillit që thotë: “Rregullat janë bërë për njerëzit, jo njerëzit për rregullat“. Ndryshe nga sistemet diktatoriale, ku Zoti nuk ekzistonte, tek fenomeni “ISIS” ose shteti islamik, kemi prezent një element ekstremisht negativ. Figura e Zotit këtu është prezente madje është kryefjalë e lëvizjes por kjo figurë nëpërkëmbet, nuk respektohet dhe paraqitet e deformuar dhe e ndryshuar. Xhihadistët besojnë në një Zot që përkrah luftën, që pëlqen vrasjen për hir të Tij, që justifikon dhunën dhe që nuk i do jobesimtarët. Ata besojnë te një Zot i ftohtë, i largët, jo i dashur, i ashpër, një Zot që nuk e do njeriun. Në të vërtetë Zoti është e kundërta e asaj çfarë ata besojnë. Zoti është i drejtë, falës, mëshirues, mirëkuptues, tolerant dhe më e rëndësishmja është gjithmonë i dashur. Zoti i do njerëzit dhe vuan kur ata vuajnë. Me bindje të plotë them se ndër të gjitha padrejtësitë që ka bërë njeriu, t’i vendosësh Zotit veçori që nuk i përkasin është padrejtësia më e madhe.

Pra, kemi vendosur përballë njëri-tjetrit dy sisteme aq të ngjashëm aq dhe të ndryshëm mes tyre. I pari, ai komunist, thërriste “Zoti nuk ekziston”. I dyti, shteti islamik, thërret “Zoti nuk ju do”. Nëse ateizmi solli kohë përpara vuajtje dhe plagë që deshën disa dekada dhe politika të pafundme për t’i shëruar ç’të keqe mund t’i sjellë sot njerëzimit një deformim i figurës së Zotit? A është më i rrezikshëm indiferenti që nuk e di të vërtetën apo ai që e di dhe gënjen? A nuk është ndryshimi i figurës së Zotit një gënjeshtër e madhe, mosbesimi më i madh që ka ekzistuar ndonjëherë?

Xhihadistët nuk besojnë. Besimi i tyre është thjesht një iluzion të cilin e përdorin si mjet për të justifikuar mëkatet që bëjnë çdo ditë. Në themel të dy sistemeve që krahasuam kemi mungesën e një figure qëndrore që përcakton një standart moral, që mbush etjen që ka çdo shpirt për dashuri dhe kuptim, që nuk lodhet se dhëni mundësi të reja. Në themel të dy sistemeve qëndron mosbesimi. Por shteti islamik vulos shkallën më të lartë të mosbesimit duke krijuar atë që do doja ta quaja “ateizmi i ri“, me luftëtarët e vet, xhihadistët ose “ateistët e rinj“.

Me këndvështrimin tim nuk dua të gjykoj asnjë sepse besoj se i Vetmi që mund të gjykojë është Ai ndaj të cilit të gjithë kemi mëkatuar. Me argumentet e mia doja të trajtoja temën e terrorizmit duke u nisur nga besimi duke qënë se ata që praktikojnë terrorizmin çdo argument e nisin nga besimi. Me bindje të plotë i them të gjithë ekstremistëve: “Lufta që ju keni krijuar nuk është lufta e Zotit. Lufta ka qënë vetëm e juaja që nga fillimi dhe e tillë do të jetë deri në fund. Ndoshta ajo luftë shpreh revoltën tuaj ndaj një realiteti të ashpër që nuk ju ofron asgjë. Ndoshta është rrjedhojë e psikologjive të dëmtuara që kanë nevojë për ndihmë. Ka shumë ndoshta. Por asgjë nuk e jusfitikon luftën, vrasjen e njerëzve të pafajshëm, dhunën, terrorin. Lufta juaj është dhe do të jetë e padrejtë deri në fund ashtu siç mund t’iu siguroj se emrat tuaj do ngelen në faqet e errëta të historisë. Gjithashtu dua t’ju them se ajo çfarë jeni dukë bëre ju kthen në jobesimtarë, në “ateistët” më të mëdhenj që janë njohur deri më sot sepse ju jeni të parët që bëni padrejtësi në emër të Zotit që është i drejtë”. Si përfundim dua t’ju them gjënë më të rëndësishme: “Çdo njeri që vrisni, çdo vuajtje që shkatoni është një vuajtje që i shkaktoni Zotit. Zoti është afër njerëzve që dhunoni, që vrisni, afër familjarëve që kanë humbur të dashurit, afër pengjeve, afër familjarëve tuaj që shpesh vuajnë zgjedhjen e gabuar që keni bërë, është afër fëmijëve që i detyroni të luftojnë dhe vuajnë pa shkak. Zoti në këto momente është afër të gjithë atyre që po vuajnë duke përmbushur premtimin e dashurisë që na ka bërë. Ju, përveç njerëzve, po bëni dhe Zotin të vuajë”.

Por, a mund ta vrasin dhuna dhe terrori shpresen? A duhet thjesht ta pranojmë realitetin në heshtje pa bërë asgjë apo duhet të ngrejmë zërin? A ekziston një zgjidhje për situata të tilla? Është e vështirë të gjejmë një zgjidhje të saktë për ta aplikuar. Edhe sikur ta gjenim, bota rreth nesh do e bëntë të vështirë aplikimin e saj. Jetojmë në një botë materialiste ku ndikimi i medias është shumë i madh dhe ajo jo gjithmonë bën propagandën e duhur. Po të ndezësh televizorin në ditët e sotme do të mund të shohësh videoklipe të shumta që promovojnë jetën e natës, alkolin, drogën dhe një mendësi superioriteti ndaj më të varfërve, ndaj atyre që zgjedhin një mënyrë të thjeshtë jetese. Në botën e sotme kemi të pranishëm një miks dukurish negative. Dhuna shpesh praktikohet në emër të moralit, thashethemet janë shndërruar në diçka normale dhe numri i vrasjeve është shumë i lartë. Duke u dhënë pas një kënaqësie momentale, të ndikuar nga parajsat artificiale, si droga dhe alkoli, shumë të rinjve u errësohet shikimi dhe nuk e kuptojnë se momenti do mbarojë duke lënë pas një boshllëk që vetëm dashuria mund ta plotësojë. Kjo ndodh kur njeriu zgjedh të shohë vetëm momentin, kërkon shumë pak nga vetja pa e kuptuar se është krijuar për shumë më tepër. Në vendin tim, korrupsioni ka pushtuar administratën shtetërore, ndërsa mjeksia tashmë ka humbur vlerën e një profesioni human dhe fisnik dhe është kthyer në biznes. Mes njerëzve kanë zënë rrënjë racizmi dhe paragjykimet që rrjedhin nga stereotipet. Stereotipet e shumta na shtyjnë të paragjykojmë pa të drejtë duke mos i dhënë tjetrit mundësi të tregojë vetveten. Sa herë i kemi dëgjuar fjalët “rom”, “i zi”, “tropojan i egër”, etj. Grupe të caktuara të shoqërisë jetojnë gjithë jetën nën hijen e errët të paragjykimeve. Fëmijët e tyre lindin dhe rriten të paragjykuar duke vuajtur një epitet që nuk u përket. Kjo vuajtje shpesh formon një pasiguri me baza të forta psikologjike dhe nuk i lë mundësi individit të gjejë dhe shprehë vetveten. Pra, ne i lejojmë vetes që të udhëhiqemi nga stereotipe që vrasin individin dhe mundësinë. Çfarëdo lloj zgjidhje të gjejmë për terrorizmin prezenca e një bote të mbushur me dukuritë e lartëpërmendura na e bën të vështirë aplikimin e zgjidhjes sonë.

Por lind pyetja: si mund ta luftojmë të keqen? Terrorizmi, komunizmi, dhuna dhe çdo dukuri tjetër negative lind për shkak të humbjes të së Vërtetës. Jezu Krishti thotë: “E vërteta do t’ju bëjë njerëz të lirë“. Për të qënë realisht vetvetja dhe realisht të lirë na duhet e Vërteta si pjesë e pandarë e mirësisë, zgjidhja e vetme për çdo problem, si prehje e shumëkërkuar, si lumturia e gjetur për çdo shpirt, besimtar apo jobesimtar, për çdo bashkësi apo komb.

Është shumë e lehtë ta gjesh të Vërtetën nëse e kërkon. Ajo është kudo. Rri duke pritur për ne deri në fund të kohëve. Mjafton të dilni një ditë për shëtitje, të uleni në një stol dhe të vështroni rreth e rrotull. Do shihni dy të moshuar që ecin duke u mbështetur te njëri-tjetri, një nënë duke ecur me fëmijet e saj, dy të dashuruar duke u puthur, një burrë të moshuar që pastron këpucët e kalimtarëve për të fituar jetesën por përsëri ka një buzëqeshje në fytyrë. Do shihni dy miq që bisedojnë qetësisht, do shihni femijë të vegjël që lypin rrugëve dhe kanë një pafajësi aq të dukshme në fytyrë. Do shihni njerëz që qeshin, njerëz që përqafohen, që duhen. Do shihni të Vërtetën. Do kuptoni se njerëzit aty dhe të gjithë ne jemi

pjesë e një historie të madhe dashurie të shkruar nga e Vërteta. Por, ne e kemi harruar atë histori. J’ua them të gjithëve me bindje të plotë që nëse shihni me zemër të hapur do gjeni të Vërtetën e shumëkërkuar. Dua të citoj këtu fjalët e Antuan de Sent-Ekzyperi në librin “Princi i vogël”: “Sytë nuk shikojnë. Është zemra ajo që sheh me të vërtetë. Gjërat më të rëndësishme janë të padukshme për sytë“. Edhe historia e dashurisë, pjesë e së cilës jemi të gjithë, është e padukshme për sytë. Ajo mund të gjehet vetëm me zemër duke ndjerë atë dashuri që lidh zemrat tona pavarësisht ngjyrës së lëkurës, besimit fetar, mënyrës së jetesës apo distancave. Kjo dashuri, që shkon përtej kufijve, është zgjidhja e vetme që mund të aplikohet me sukses. Papa Gjon Pali thoshte: “Dashuria nuk mund të shpjegohet por është gjëja më e rëndesishme për t’u mësuar“. Besoj se ai e kishte gjetur sekretin e dashurisë. Dashuria nuk mund të shpjegohet me fjalë por ajo mund të ndërtohet. Le të shkojmë përtej kufijve, të thyejmë të gjitha barierat e krijuara nga njerëzit duke ndërtuar dashuri. Lë të ndërtojmë shtëpi të reja për t’u mbledhur aty njerëz të besimeve të ndryshme, racave apo kombeve të ndryshëm. Le t’i quajmë këto shtëpi “shtëpi dashurie”. Dhe në këto shtëpi dashurie lë të mësojmë për dashurinë, jo me fjalë por me vepra. Kur ta pranojmë tjetrin ashtu siç është, pa patur parasysh bindjet që ka, besimin fetar apo ngjyrën e lëkurës, duke harruar çdo paragjykim atëherë i kemi mësuar ç’është dashuria. Kur të harrojmë mëkatet që ka bërë, ta duam dhe t’i shërbejmë pa i patur parasysh asnjë moment ato mëkate, atëherë kemi ndërtuar dashuri. Dhe ai që kemi përballë do e mësojë dashurinë pa përdorimin e fjalëve. Shën Pali thote: “Dashuria nuk gjen kënaqësi në mëkatet e të tjerëve por prehet tek e vërteta“. Ai na mëson se dashuria është pa kushte, thyen çdo barierë. Është kjo dashuria që duhet të ndërtojmë në shtëpitë tona të dashurisë. Ashtu siç e Vërteta na deshi pa kushte, ashtu edhe ne duhet të duam pa kushte.

Duke besuar dhe shpresuar fort tek “fara e së vërtetës” që çdo njëri ka brenda vetes shoh në horizontin e së ardhmes atë që shpesh është e padukshme për sytë por gjithmonë e dukshme për zemren: “Dashuria që trimfon mbi çdo të keqe.”