“Persona me maska e të armatosur në Manastirin e Banjskës” – Dioqeza e Prizrenit del me njoftim

E publikuar: 24/09/2023 12:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dioqeza Rashkë-Prizren ka lëshuar një reagim lidhur me vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës dhe plagosjen e dy të tjerëve. Ata kanë kanë shprehur ngushëllime për familjen e policit dhe kanë thënë se duhet bërë gjithçka për ta ruajtur qetësinë.

Në faqen e tyre zyrtare, kanë thënë se në manastirin e Basnjkës në Zveçan janë futur automjetet e blinduara dhe “persona me maska”, të cilët janë duke lëvizur në oborrin e manastirit.

Sipas tyre janë duke u dëgjuar edhe të shtëna.

”Dioqeza e Rashko-Prizrenit dënon ashpër sulmin e fundit të ndodhur mëngjesin e sotëm në veri të Kosovës, afër fshatit Banjskë, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe dy të tjerë u plagosën. Është një incident i rëndë që mund të ketë pasoja të mëdha dhe për këtë arsye është shumë e rëndësishme që të bëhet gjithçka për të ruajtur qetësinë dhe rendin. Dioqeza i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjarëve të policit të ndjerë dhe sinqerisht shpreson që dy të plagosurit të shërohen sa më shpejt’, thuhet në reagim.

Sipas Dioqezës, në Manastir ndodhen një grup besimtarësh nga Novi Sadi, një prift, abati Danilo dhe pjesëtarë të tjerë të manastirit. Në njoftim thuhet për sigurinë e tyre, besimtarët janë mbyllur në konvikt.