Adem Grabovci nga PDK dhe Glauk Konjufca, janë përplasur në Interaktiv të KTV’së në lidhje me situatën e krijuar në vend, pas bllokimit që në vazhdimësi po bënë opozita në Kuvend.
Adem Grabovci ka thënë se opozita nuk po jep alternative për asgjë në Kuvendin e Kosovës.
Shefi i GP të PDK-së ka thënë se opozita nuk po ka koncept, ide dhe po lëshon akuza, sharje e fyerje që nuk i takojnë Kuvendit.
“Duhet të ndjekni shembullin e mirë në të kaluarën kur është debatuar dhe janë marrë vendimet bashkarisht”, i është drejtuar Grabovci – Konjufcës.
Por Glauk Konjufca, ka thënë se nëse diçka tregon jeta parlamentare në Kosovë, sidomos prej kohës kur e ka marrë pushtetin PDK-ja, është se këta janë të shurdhër në debat.
“Pikërisht ato vija që ne kemi thënë se janë vija të cilat nuk duhet të shkelen, Qeveria i ka shkelur. Qeveria nuk ka bërë pika se çfarë nuk duhet të negociohet në Bruksel. Pa i pyetur fare deputetët ata kanë negociuar me Serbinë”, ka thënë Konjufcaca.
“Ju e keni kapur shtetin totalisht”, i ka thënë Konjufca – Grabovcit.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Adem Grabovci, ka deklaruar se opozita është duke manifestuar dhunë në Kuvend duke i ndalur seancat dhe duke mos lejuar debatin.
Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se PDK-ja është e hapur për debat, por kjo nuk është lejuar në Kuvend për shkak se opozita është duke manifestuar dhunë dhe nuk është duke lejuar demokracinë në Kuvend.
“Kisha dashur që ky debat të zhvillohej në Kuvend, por qëndrimet e opozitës janë të njohura dhe po duhet të debatojmë këtu. Kemi treguar se jemi të hapur për të dëgjuar mendime tjera, të kundërta, oferta apo ide dhe më pas të bashkëpunojmë. Kjo nuk po ndodh sepse opozita manifeston dhunë. Kjo është e papranueshme. Qytetarët nuk e duan dhunën, kanë përjetuar dhunë në të kaluarën dhe i kemi akoma plagët e hapura”, ka thënë Grabovci.