Këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASh), Derek Chollet, është pritur në takim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, raporton Ekonomia Online.
Takimi është mbajtur me dyer të mbyllura dhe sipas njoftimit të DASh-it është përpjekje për të përshpejtuar procesin e normalizimit të raporteve Kosovës-Serbi.
Një orë më pas është paraparë takimi me kryeministrin Albin Kurti.
Sipas njoftimit të DASh-it, ai do të bisedojë me krerët në Kosovë dhe të Serbisë për integrimin euroatlantik, përfshirë edhe arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet dy shteteve, të bazuar në njohje reciproke.
Vizita e Chollet në Kosovë dhe Serbi vjen disa javë pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës, që kulmoi me vendosjen e barrikadave nga grupe të serbëve lokalë në veri të shtetit, për shkak të arrestimit të një ish-polici serb.
Pas Prishtinës, Chollet do të qëndrojë në Beograd më 12 janar.
Në janar, në Kosovë dhe Serbi po ashtu pritet të qëndrojnë i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Ata pritet të shoqërohen nga të dërguarit e presidentit të Francës dhe kancelarit gjerman, Emmanuel Bonne dhe Jens Pletner.