Policia dhe ushtria ukrainase krijuan një kordon mbresëlënës në Kiev, për të evituar përleshjet e tifozëve lokalë me ata të Legia Varsavia, përpara sfidës së ekipit polak me Zorya Lugansk në Europa League. Disa qindra mbështetës të Legia-s, që njihen si huliganë, u shoqëruan përgjatë rrugëve të kryeqytetit ukrainas, deri në sheshin përpara stadiumit. Por, edhe masat e marra nga autoritetet nuk shërbyen për të evituar incidentet mes dy tifozerive.
Huliganët lokalë, kryesisht të Dynamo Kyiv ishin pozicionuar në disa pjesë të rrugës ku paralakoi kortezhi i tifozëve të Legias. Pavarësisht prezencës së forcave të rendit, ata kishin ngritur prita dhe hodhën sende të forta dhe fishekzjarrë në drejtim të rivalëve. Përleshjet fizike mes dy tifozerive nuk munguan, ndërsa u regjistruan edhe incidente mes forcave të policisë dhe grupimeve të huliganëve vendas dhe miq. Sheshi kryesor i Kievit u shndërruan në fushë beteje, duke shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale. Incidentet vazhduan edhe pas ndeshjes, ku rreth 60 tifozë të Legias dhe një numër i barabartë nga Dynamo Kyiv i dhanë jetë incidenteve të ashpra pranë një stacioni metroje.
Në përleshje nuk mungoi përdorimi i shkopinjve, karrigeve, shisheve dhe mjeteve pirroteknike. Ndeshja ndërmjet Zorya-s dhe Legia Varsavia u luajt në Kiev për shkak se Lugansku është një prej qyteteve të përfshirë në konfliktin ukrainas.