Përkrahje apo “qortim” nga aleatët në Këshillin e Sigurimit të OKB-së?

E publikuar: 10/02/2024 00:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ditën e sulmit terrorist në Banjskë, po i printe grupit të armatosur, ndërsa po bëhen pesë muaj që Milan Radojçiq shëtitet lirshëm në rrugët e Serbisë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës agresionin në Zveçan, po e cilësojnë sulm para-militar, ndërsa në Këshillin e Siugurimit të Kombeve të Bashkuara, porosinë i’a përcollën sy më sy Aleksandar Vuçiqit, të kërkohet llogari e plotë nga organizatorët dhe autorët e sulmit terrorist të 24 shtatorit.

Ky ishte qëndrim po thuajse i përbashkët i ambasadorëve të SHBA-së, Francës dhe Britanisë, gjatë seancës së jashtëzakonshme në Këshill të Sigurimit.

Franca dhe SHBA patën kritika edhe për aksionet ndaj komunave ilegale të strukturave paralele

Njohësit e fushës së sigurisë vlerësojnë se ndaj Serbisë duhet çasje më e ashpër, për dallim me aksionet legjitime për mbylljen e komunave ilegale.

“Si duket nuk e kanë një çasje të barabartë ndaj Kosovës dhe Serbisë kjo çasje është përcjellë gati në të gjitha fazat, ku Serbia në një formë ose tjetër është përkëdhelur dhe qortimet do të duhet të ishin në nivel më të lartë dhe kërkesa duhej të ishte imediate ndaj Serbisë, që të arreston dhe dërgon para drejtësisë Radojçiqin”, ka deklaruar Fatmir Çollaku.

Krahas shteteve më të vogla, treshja SHBA, Britani e Madhe dhe Francë, ri-përsëriten domosdoshmërinë zgjatjes së periudhës për zbatimin e rregullores që e përjashton dinarin.

Ndërsa amerikanët e bënë dallimin duke theksuar se asnjëra nga këto çështje nuk duhet të diskutohet në sallën e Këshillit të Sigurimit por në Bruksel.

Kjo porosi sipas analistit, Artan Muhaxhiri, ishte një lloj qortimi për sjelljen e Qeverisë dhe mos-koordinimin me shtete aleate.

“Ishte një lloj qortimi një lloj këshille mirëpo qëllimi kryesor i qëndrimit të ambasadores amerikane ishte që kryeministri Kurti nuk guxon t’i krijojë parakushtet që t’i bëjë auto-gol që t’i vendosë në një pozicion të vështirë edhe alatët edhe veten me vendime që janë krejtësisht të panevojshme dhe që mund të ndryshohet mund të dialogohen”, ka thënë Artan Muhaxhiri.

Sipas analistit Muhaxhiri, përderisa për çështjen e dinarit nuk po kërkohet anulim por shtyerje e vendimit, nxitja e kësaj çështje në nivel kaq të lartë ishte gabim politik që u kritikua nga ndërkombëtarët.