Agjenda legjislative dhe puna kuvendore është e përqendruar në zhvillimin ekonomik, theksoi kryetari Veseli.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, takoi sot zëvendës drejtorin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Min Zhu, me të cilin diskutoi për trendet zhvillimore të ekonomisë në vend dhe rajon, me theks në thellimin e marrëdhënieve në mes të vendit tonë dhe FMN-së.
Në takim mori pjesë edhe guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza.
Në takim u diskutua për kahet e zhvillimeve të ekonomisë në vend dhe rajon, bashkëpunimin e deritashëm ekonomik në mes të institucioneve financiare të Republikës së Kosovës dhe FMN-së, vëllimin e këtyre marrëdhënieve, si dhe mundësitë e zgjerimit të tyre.
Veseli theksoi se agjenda legjislative dhe puna kuvendore është e përqendruar në zhvillimin ekonomik, jo vetëm në ngritjen e projekteve të mëdha instrastrukturore por edhe fuqizimin e ndërmarrësisë, përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe hapjen e perspektivës ekonomike në vend, posaçërisht të të rinjve.
Zhu shprehu respekt për punën dhe bashkëpunimin e deritashëm, duke theksuar se përkrahja nga FMN-ja nuk do të mungojë as në të ardhmen. Ai shtoi se stabiliteti makrofinanciar i Kosovës është predispozitë për inkurajimin e këtij bashkëpunimi.