Gjendja shëndetësore e këshilltares së ministrit për Kthim dhe Komunitete, Rada Trajkoviq është përkeqësuar gjersa po mbahej nga policia serbe në pikëkalimin kufitar të Merdares.
Si rezultat i kësaj, ajo është transferuar në një qendër mjekësore në Prokupël të Serbisë.
Ky njoftim është publikuar në faqen e Trajkoviq, siç është dhënë shpjegimi, nga vajza e saj.
Në këtë njoftim thuhet se në bazë të simptomave të para, Trajkoviq ka marrë sëmundjen e pneumonisë.
“Ky mesazh është shkruar nga vajza e Rada Trajoviq. Nëna sapo është trasnferuar në ambulancën e Prokuplës sepse shëndeti i saj papritur është përkeqësuar. Simptomat e para tregojnë për shenja pneumonie. Ju falënderojmë për mbështetjen dhe do t’ju mbajmë të informuar”, ka shkruar ajo.
Rada Trajkoviq është mbajtur rreth 24 orë në ndalim nga organet serbe të sigurisë. Ajo ka thënë se kjo është një hakmarrje e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq ndaj saj për kritikat e hapura që ia ka bërë atij.
Ajo u ndalua gjersa po kalonte nga Kosova drejt Serbisë.
Në një deklaratë të saj para pak orës, Trajkoviq e ka quajtur Vuçiqin “barbari më i madh në tokën e Ballkanit. /GazetaExpress