Gareth Peirce, njëri nga avokatët e themeluesit të organizatës, Wikileaks, Julian Assange, ka thënë se kërkesa e Shteteve të Bashkuara për ekstradim është shtyrë për muajin qershor, sepse klienti i tij është shumë i sëmurë për t’u paraqitur përmes video-lidhjes nga një burg në Britani.
Uashingtoni është duke kërkuar ekstradimin e Assange, 47-vjeçar, i cili është arrestuar pasi është larguar nga Ambasada e Ekuadorit në Londër më 11 prill, për shkak të dyshimeve rreth rolit që ka pasur në publikimin e materialit të klasifikuar ushtarak dhe diplomatik më 2010.
Aktualisht, Assange përballet me 18 akuza penale në SHBA, dhe mund të kalojë dekada në burg në rast se shpallet fajtor.
“Ai në fakt nuk është aspak mirë”, ka thënë avokati, Gareth Peirce, për mediat.
Një gjykatë në Uestminster të Londrës ka mbajtur një seancë të shkurtër të enjten, për ta shtyrë këtë rast më 12 qershor.
Kryeprokurorja, Emma Arbuthnot, po ashtu ka thënë se Assange nuk është mirë, derisa ka shtuar se ka mundësi që seanca e radhës të mbahet në burgun e sigurisë së lartë, ku Assange është duke vuajtur dënimin prej 50-javëve për ikje nga lirimi me kusht.
Wikileaks ka thënë se ka shqetësime serioze për shëndetin e Assange-it dhe se ai është bartur në zonën e burgut për përkujdesje shëndetësore.
“Gjatë shtatë javëve në Belmarsh, shëndeti i tij ka vazhduar të përkeqësohet dhe ai ka humbur peshë në mënyrë dramatike, ka thënë Wikileaks përmes një deklarate.
“Vendimi i autoriteteve të burgut për ta bartur atë në zonën për përkujdesje shëndetësore flet vetë”.
Assange ka qëndruar në Ambasadën e Ekuadorit nga viti 2012, kur kishte ikur nga lirimi me kusht, në mënyrë që ta mënjanonte ekstradimin në Suedi.