Nga Jakup Krasniqi
Në jetën time politike mbi dyzet vjeçare, i përjetova në forma të ndryshme sulmet e katër policive sekrete të nëntokës. E para ishte UDB-a serbo/jugosllave. Arsyeja e të parës ishte pse u anëtarësova në organizata të fshehta për të vazhduar e përhapur idenë e çlirimit e të bashkimit të shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë e të Malit të zi më Nënën Shqipëri. UDB-ashet na quajtën më epitete të ndryshme si: “nacionalistë, irredentistë, shovinistë, armiq të socializmit e vëllazërim – bashkimit e epitete të tjera. Për këto akuza, banditët jugosllav dhe bashkëpunëtoret e tyre shqiptarë me dënuan dy herë (siç dënuan edhe shumë shqiptarë të tjerë), herën e parë në gusht të vitit 1981 (14 vjet) dhe një vit më vonë (1982), ma shqiptuan dënimin prej 15 viteve, nga të cilat i mbajta mbi 10 vjet burg.
Sulmin e dytë, e pata nga Shërbimi Sekret i LDK-së (i edukuar dhe i specializuar nga UDB-ja jugosllave). Po pse bëheshin këto akuza dhe kur filluan?
Vërtetë është vështirë të thuhet pse bëheshin këto akuza. Akuzat serbe bëheshin kundër lirisë e çlirimit tonë. Po pse bëheshin këto të UDB-ës së LDK-së? Këta me akuzonin pse kisha marrë guximin pa e pyetur sulltanin e LDK-së, që t’i merrnim në duar armët për çlirimin e Atdheut. Këta e mohonin prezencën time në Malet e Kosovës e më qitnin shpesh në Shqipëri ku” kisha marrë ndonjë thikë prapa shpine”. Shpesh me nxirrnin në Evropë në ketë e atë qytet, madje ma “shëtitnin nëpër Evropë me një Mercedes Benc të zi, djalin tim”, e që aso kohe ishte vetëm katër vjeçar. E lloj – lloj akuza të tilla që përhapte nëntoka e LDK-së. Ketë propagandë të ndytë nuk e pushuan as pas Luftës Çlirimtare, gjithnjë me qëllimin për të madhëruar e himnizuar politikën e nënshtrimit të kreut të LDK-së?! Dallimi në mes kësaj të dytës më atë të paren ishte, se kjo nuk pati mundësi të me dërgonte në ndonjë burg. Por, gënjeshtrat e kësaj të fundit ishin më të paskrupullta sesa ato të UDB-ës?!
Sulmin e tretë, më të sofistikuar dhe banal e mora nga Shërbimi Sekret i PDK-së, kuptohet i intensifikuar pas largimit tim nga kjo parti edhe pse ai kishte filluar edhe para “aferës Pronto”, por që u intensifikuar pas kësaj duke i shfrytëzuar mediat, portalet dhe rrjetet e ndryshme sociale. Dirigjimi i kësaj fushate të egër vinte nga kreu i saj, Thaçi. Ky sulm me lloj-lloj gënjeshtrash, sharjesh e denigrimesh përveç rrjeteve sociale e portaleve të ndryshme, vazhdonte edhe gojë më gojë, kudo ku arrinte, nuk kurseheshin as njerëzit e afertë të cilët josheshin më oferta të ndryshme financiare e të punësimit, krejt kjo bëhej që të me lenin “si peshkun në zall” dhe deri diku ia arritën qëllimit, por jo aq sa deshën. Për të me mundur, në Drenicë e në fshatin tim derdhen para të shumta, mashtruan me vende të shumta pune e gënjeshtra të tjera, për të thënë: “Ja ketë (Jakupin) nuk e mbështesin as në fshatin e tij”. Ndonëse angazhimi im politik ishte bërë për komb e atdhe e jo për ndonjë fshat a komunë të veçantë! Ana më negative e kësaj fushate ishin: sharjet e fyerjet më primitive të mundshme, gjë që nuk i kisha dëgjuar as nga dy UDB-të e para. Përgatitjet e tyre ishin më të avancuara sesa ato të Serbisë e të LDK-së, të avancuara për ligësi, shpifje e sharje. Diçka nga ato e dinë edhe opinioni publik. Dhe këto i bënin kundër meje, ani pse isha themeluesi dhe organizatori kryesor i PDK-së?! Dhe ata i mbanin familjet e tyre, po nga ajo PDK që kisha investuar shumë.
Tani, në radhë është sulmi i katërt i një lufte tjetër speciale. Ai sulm po vjen nga individë të VV-së, sidomos pas ikjes nga NISMA të Xhevat Bislimit (i cili u ushqye për dy vjet nga Nisma e punoj kundër saj pa pushuar), i cili duhet të jetë i koordinuar nga “specialci” i këtyre gjerave të liga, Dardan Mulliqi i VV-së dhe kisha dëshiruar që gjithçka të mbetej brenda këtij numri. Kulmi i luftës së këtyre të fundit që është intensifikuar, pas një takimi të rastësishëm që patëm në një koktej të organizuar nga Zyra e BE-së në Hotelin Sviss Diamand, me Hashim Thaçin i cili erdhi në tryezën tonë, natyrisht i pa ftuar. Këta e shfrytëzuan ketë takim për të më linçuar, sikur unë të isha kthyer në gjirin e Thaçit e të PDK-së? Po të doja, do të kthehesha pa i marrë leje askujt! Jam i bindur se këta njerëz -hijena, janë shumë herë me të gatshëm të hynë në gjirin e PDK-së që ka degraduar gjithçka në jetën tonë politike e institucionale! Këta njerëz të sëmur pas pushteti, nuk i pengon takimi im më Thaçin ashtu si u bë dinakërisht, por i pengon këmbëngulësia e autoriteti im i ndërtuar kujdesshëm për më shumë se 40 vjet për të qenë në shërbim të kombit e të atdheut. Por, edhe për faktin se po donë të shiten si opozitarët e vetëm në Kosovë. Nëse kështu na qenka opozita, me gënjeshtra e mashtrime, vaj halli për Kosovën kush paska mbetur opozitar?!
Ne e kishim një luftë çlirimtare, por ku ishin këta trimosh kur luftohej për jetë a vdekje në qytetet e fshatrat, në fushat e malet e Kosovës? Atëherë ata e kishin moshën më të përshtatshme sesa unë për të luftuar! Ku e kishin futur kokën atëherë këta hardhuca të pa gjak? Në zallin e cilit det e kishin futur kokën? Pse nuk ua mësynë çetave të lirisë e të bashkimit kombëtar atëherë kur ishte koha për luftë? Apo donë të na thonë se me ata fillon e mbaron historia e shqiptarëve? Këtyre tipave psikopat, nuk ju duhen aleatë që dinë të mendojnë me kokë të vet, por njerëz që i pranojnë urdhrat e tyre verbërisht, si kuadrot e “reja” të zhveshura nga çdo dinjitet e integritet. Ata gënjeshtarë, shpifës ordiner, po menduakan se unë duhet që t’ju marrë leje se më ke do rri e do të bisedoj?! Këta njerëz, që pa asnjë fije pushteti sillen në ketë mënyrë, si do të silleshin duke qenë në pushtet?! Kjo propagandë e tyre, pas një takimi të rastësishëm, është propagandë e tipit gebellsian! Një propagandë e tillë, e njerëzve të pa pushtet, duhet të jetë e frikshme për çdo njeri normal! Si do të silleshin po të kishin pushtet?!
Unë, nuk kam frikë nga cerberët e tillë, se me diçka të tillë nuk është hera e parë që përballem, për ketë farë të keqe jam më se imun. Por kjo logjikë e të vepruarit nuk duhet të gjejë në mesin tonë as kohë e as hapësirë veprimi. Njerëzimi dhe ne shqiptarët, ketë politikë e kemi kaluar para dekadash, prandaj ketë frymë “shpëtimtare” duhet mbyllur në kafaz?! Nga kjo frymë banditësh, kombit dhe atdheut nuk mund t’i vije asnjë e më asnjë e mirë, veç riciklimit të fatkeqësive?! Ky popull nuk ka nevojë për fatkeqësi të reja e as për “çlirimtarë“ të rinj e psikopatë!
Unë ndjehem mirë që kontribuova në PDK-në. Nuk kontribuova që Thaçi të sillej si monark. E kundërshtova dhe për atë, si mora leje askujt! As Dardanit e Xhevatit e sojit të tyre! Thaçi, vendit e popullit i krijoj shumë vështirësi e probleme, por asnjëherë me miratimin tim. Natyrisht, që nuk ndjehem aspak mirë që gati u gabova për t’u bërë bashkë me ata që nuk njohin asnjë vlerë kombëtare të krijuar nder shekuj e vite, veç demagogjisë nacionaliste të tyre. Ata nuk kanë e as njohin asnjë mirëkuptim a kulturë njerëzore. Jam më se i lumtur që mësimi i parë i marrë në PDK, nuk me lejoj ta bëja të dytin, se nuk do të kisha kohë që ta korrigjoja.
E shfrytëzoj ketë rast që t’ua tërheq vërejtjen njerëzve të mirë, vajzave e djemve të rinj, të mashtruar nga propaganda gebellsiane e këtyre tipave, të distancohen e largohen nga njerëzit e tillë të cilët gënjeshtrën e denigrimin e njerëzve dhe të bashkëpunëtorëve e bashkëluftëtarëve e kanë “parim”! Këta njerëz, janë si hajni që të “hynë në shtëpi e të bëjnë vishkull”! Kujdes nga ta!!! VV-ja duhet t’i tregoj opinionit a i mbështet këta njerëz që pikëpamjet e tyre i përhapin përmes portalit “bashkimi kombëtar” apo është metodë e tyre e punës?! “Bashkim i fortë kombëtar” apo jo?!
Sinqerisht ndjehem shumë i lehtësuar pse u lirova nga kjo farë e keqe!