Aplikacioni i Twitter-it për shfaqje të videove në kohë reale, Periscope, shënoi më 10 gusht një shifër historike: kompania ka tani 10 milionë llogari aktive në pajisjet iOS dhe Android. Kompania e arriti këtë numër katër muaj pas lançimit; Periscope arriti 1 milion përdorues në 10 ditët e tij të para.
Aplikacioni numëron gati 2 milionë përdorues në ditë, duke parë video me një kohëzgjatje të përgjithshme prej 40 vitesh, pra, mbi 350 mijë orë. Dhe këto shifra janë vetëm për pajisjet iOS dhe Android — videot në ueb nuk janë përfshirë në numërim.
Ishte vetë themeluesi i aplikacionit Periscope, Kayvon Beykpour, ai që zbuloi këtë shifër historike. Ai njoftoi gjithashtu se kompania po punon për krijimin e disa veçorive të reja për të rritur sigurinë dhe për të shmangur abuzimet tek platforma.
Sipas të dhënave të App Annie, të martën e kaluar Periscope ishte aplikacioni i tetë më popullor në kategorinë e rrjeteve sociale në Google Play, dhe i nënti në App Store të Apple-it./krokodili.al/