Në mekanizmat në kuadër të Këshillit Evropian janë duke u zhvilluar diskutime për vizat liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Çekia që kryeson me presidencën e BE-së është duke bërë përpjekje që të bind shtetet anëtare që të përkrahin Kosovën në procesin e heqjes së regjimit të vizave. Megjithatë ka disa shtetet të cilat vazhdojnë të jenë skeptike e që konsiderojnë që Kosova ende s’i ka plotësuar në mënyrë të kënaqshme kushtet që ndërlidhet me rreziqet e sigurisë dhe migracionit.
Kështu kanë thënë ekskluzivisht për Gazetën Express nga Ministra e Drejtësisë së Qeverisë suedeze, duke theksuar se vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e Kosovës dhe se kanë parasysh progresin që është bërë në lidhje me udhërrëfyesin për vizat.
Nga Qeveria suedeze theksojnë se mund të përkrahin liberalizimin e vizave për Kosovën pasi të plotësohen të gjitha kushtet dhe kur kushtet që ndërlidhen me rreziqet e sigurisë dhe migracionit të jenë përmbushur në mënyrë të kënaqshme.
“Qeveria suedeze vazhdon të mbështesë përpjekjet e Kosovës dhe merr parasysh progresin që ka bërë Qeveria e Kosovës në lidhje me Udhërrëfyesin. Qëndrimi suedez është se ne mund të mbështesim liberalizimin e vizave pasi të plotësohen të gjitha kriteret e përcaktuara në udhërrëfyes dhe kur rreziqet e sigurisë dhe migracionit në nivel kombëtar të jenë përmbushur në mënyrë të kënaqshme. Ky pozicion mbetet i pandryshuar”, ka thënë për Gazetën Express Carolina Vrocharis nga Ministria e Drejtësisë në Qeverinë e Suedisë.
Vrocharis lidhur me sistemin ETIAS, ka thënë se Suedia do të dëshironte ta shihte funksional një sistem të tillë meqë besojnë që të kontribuonte në menaxhimin më të mirë të rreziqeve që ndërlidhem me sigurinë dhe migracionin drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Zyrtarja suedeze tutje thotë se marrë parasysh zhvillimet e viteve të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, besojnë që masat sikur sistemi ETIAS janë të rëndësishme që të diskutohen si mjet për të menaxhuar rreziqet që ndërlidhen me sigurinë dhe migrimin.
“Sa i përket pyetjes suaj mbi ETIAS, qeveria suedeze do të donte ta shihte sistemin në funksionim pasi ne besojmë se do të kontribuonte në menaxhimin më të mirë të rreziqeve të lidhura me sigurinë dhe migracionin drejt BE-së. Për shkak të zhvillimeve të viteve të fundit në Ballkanin Perëndimor, ne besojmë se masat adekuate si ETIAS janë të rëndësishme për t’u diskutuar si një mjet për të menaxhuar këto rreziqe”, ka theksuar Vrocharis.
Në fund ajo ka thënë se s’dëshirojnë të komentojnë pozicionet e vendeve të tjera të BE-së lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave.
“Ne përmbahemi nga komentimi i pozicioneve të mundshme të vendeve të tjera në këtë çështje”, ka përfunduar ajo.
Komisioni Evropian ka vite që ka konstatuar se Republika e Kosovës ka përmbushur kushtet për liberalizimin e vizave. Një qëndrim të njëjtë e ndan edhe Parlamenti Evropian, institucion që në mënyrë të vazhdueshme ka kërkuar heqjen e regjimit të vizave. Megjithatë brenda Këshillit Evropian ka shtete të cilat kanë rezervat e tyre sa i përket liberalizimit të vizave për kosovarët.
Për gjithë këto dyshimet që kanë këto shtete anëtare, nga Presidenca çeke që është duke kryesuar me Bashkimin Evropian kanë thënë se do të punojnë për t’i sqaruar ato në përpjekjen që sa më shpejt të ndodh liberalizimi i vizave për Kosovën.
Çekët s’kanë pranuar të tregojnë se cilat shtete kanë ende dyshime, meqë konstatojnë se diçka e tillë do të mund të dëmtonte përpjekjet për të çuar përpara procesin.
“Negociatat vazhdojnë. Ne kemi marrë disa reagime përsëri në lidhje me propozimin, kështu që ka ende disa çështje që duhen sqaruar. Fatkeqësisht nuk mund të flas për shtetet anëtare konkrete dhe shqetësimet e tyre pasi kjo mund të ndikojë në përpjekjet tona për të arritur një marrëveshje për liberalizimin e vizave për Kosovën sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë për Express të mërkurën zëdhënësja e Presidencës çeke, Eva Hrncirova.
Në Suedi kanë dalë institucionet e reja pas zgjedhjeve të shtatorit të këtij viti. Shteti suedez tashmë drejtohet nga demokratët e ekstremit të djathtë të cilët kanë shtrënguar politikat që ndërlidhen me migracionin./GazetaExpress/