Përgjigjet Taulant Xhaka, a ka një grusht për serbët?

E publikuar: 07/10/2015 14:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këtë herë nuk kam as një grusht. Është vetëm një ndeshje futbolli”, është një frazë e ripërsëritur deri në mërzi gjatë ditëve të fundit, megjithatë, e thënë nga një lojtar që e ka treguar grushtin në mes të Beogradit, merr peshë. Nuk bëhet fjalë për atë të kapitenit kundër huliganit serb, por për atë të Taulant Xhakës, kur përballë kishte 12 lojtarë serbë që donin t’i merrnin flamurin.

Është i madhi i familjes Xhaka, që për “Panorama Sport” rrëfen kujtimet për takimin e Beogradit dhe ndjesinë për këtë ndeshje kundër Serbisë. Sipas Taulant Xhakës, për kuqezinjtë nuk ndryshon asgjë. Është një ndeshje që vlen tri pikë, që pavarësisht se mund të jenë të arta, nuk e kanë vënë aspak nën presion mesfushorin e Bazelit.

“Dua ta harroj sa më shpejt atë që ndodhi në ndeshjen e fundit”, shprehet Taulant Xhaka, në lidhje me zënkën në ndeshjen kundër Jang Bois që e bëri të dilte me karton të kuq dhe të pezullohej nga Disiplina në Zvicër. “Është diçka e kaluar për mua dhe nuk dua as ta rimendoj. Ju lutem, mos insistoni për këtë çështje, pasi nuk mund të them asgjë. Çfarë ndodhi, është parë dhe nuk kam dëshirë që t’i rikthehem. Jam në grumbullim me Kombëtaren dhe mendoj vetëm për këtë sfidë dhe kualifikimin e Shqipërisë.

 

Ndeshja me Serbinë “Në radhë të parë, unë jam krenar që luaj për Shqipërinë, jo vetëm se është kjo sfidë. Për secilin nga ne, krenarinë na e jep fanella kuqezi dhe jo kundërshtari që kemi përballë. Madje, as fakti që me këtë ndeshje mund të arrijmë një objektiv madhor. Kënaqësia dhe dëshira shtohet maksimalisht shumë, kur shohim edhe gëzimin e tifozëve shqiptarë dhe mbështetjen apo ndjesinë që kanë për Kombëtaren. Graniti më tha që të mos ndikohem nga ndeshja dhe të luaj ashtu siç bëj gjithmonë. Madje, më kërkoi “luaj më mirë dhe na bëj krenarë të gjithë shqiptarët kudo që janë”.