Përgjegjësinë ta mbajë BE-ja për atë që do të ndodhë më vonë, paralajmëron Vulin

E publikuar: 05/11/2022 22:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i Shërbimit Sekret të Serbisë, Aleksandër Vulin, ka thënë se Serbia nuk është përgjegjëse pse Lista Serbe vendosi të tërhiqet nga të gjitha institucionet e Kosovës, por sipas tij, kjo lëvizje e përfaqësuesve serbë erdhi si rezultat i mosrespektimit të Marrëveshjes së Brukselit nga pala kosovare.

“Marrëveshja e Brukselit nuk u zbatua dhe Serbia nuk ka as më të voglën përgjegjësi për këtë”, theksoi ai duke shtuar se përgjegjësia për atë që do të ndodhë tutje është ekskluzivisht e Bashkimit Evropian.

“Gjithçka që ndodh në ditët në vijim është faji i BE-së , e cila nuk e përmbushi rolin e saj si garantuese e Marrëveshjes së Brukselit, dhe Prishtina e cila bëri gjithçka për të penguar zbatimin e marrëveshjes”, potencoi ai, transmeton ‘Danas.hr‘.

Madje, ai lëshoi edhe një kërcënim duke thënë se “dhuna” ndaj serbëve, s’do mbetet pa përgjigje.

“Përgjegjës për çdo jetë të humbur është ai që përdor armë kundër serbëve”, theksoi Vulin i cili njihet për deklaratat e tij etno-nacionaliste dhe irridentiste.

“Unë po kërkoj që të gjithë ta kuptojnë këtë dhe të ruajnë paqen”, përundoi ai.

Ndërtimi i ngjarjes

“Lista Serbe” vendosi të shtunën e 5 nëntorit që pjesëtarët e saj të largohen nga institucionet e Kosovës.

Kjo, pas një takimi të zhvilluar në mesditën e së shtunës në Zveçan.

Serbët nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës deri në momentin kur Qeveria e Kosovës do të tërheqë vendimin për targat dhe fillon formimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe.

Kryetari i Listës Serbe (njëkohësisht ministri për Komunitete dhe Kthim), Goran Rakiç, u dorëhoq nga pozita të cilën e ka drejtuar pak më shumë se një vjet e gjysmë.

Edhe Igor Simiç, i cili është deputet në radhët e Listës Serbe ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Serbët kanë vendosur që të largohen edhe nga gjyqësori si dhe Policia.

“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, theksoi Rakiç pas takimit.

Në anën tjetër zyrtarë të Policisë së Kosovës, pas vendimit të Listës Serbe për t’u larguar nga të gjitha institucionet kanë larguar nga trupi i tyre uniformat e Policisë së Kosovës.

Masa ‘paraprake’

/Albanianpost.com