Ka përfunduar takimi mes dy liderëve të partive politike, NISMA dhe Vetëvendosje.
Takimi mes Kurtit dhe Limajt u mbajt në Prishtinë, teksa nuk ka informacione rreth marrëveshjes të mundshme mes tyre, transmeton KosovaPress.
Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës është në situatë të ngërçit politik, pasi legjislatura e nëntë nuk ka arritur ende konstituimin e institucionit legjislativ të Kosovës.
Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese u ka lënë hapësirë 30 ditë deputetëve për konstituimin e Kuvendit, teksa ky afat përfundon në fund të muajit ende nuk dihet se cili do të jetë skenari tjetër në rast dështimi.
Albulena Haxhiu ka dështuar në gjashtë përpjekje për të marrë votat e nevojshme në votim të hapur, dhe po ashtu ka dështuar edhe formimi i komisionit për votim të fshehtë.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se nëse nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës deri më 26 korrik, afat i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, duhet të ketë pasoja juridike për deputetët.
Ajo theksoi se janë duke përgatitur lëndën për interpretim kushtetues për krizën politike, dhe nëse nuk ka formim të institucioneve as gjatë këtij vikendi, atëherë në fillim të javës së ardhshme do ta dërgojnë çështjen në organin më të lartë juridik të vendit.
















