Pas rreth një orë e gjysmë ka përfunduar takimi mes të dërguarit të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesve të partive opozitare të Kosovës.
Pas takimit, asnjë nga përfaqësuesit e partive opozitare nuk ka folur për media dhe as emisari amerikan Esocbar.
Takimi u mbajt në rezidencën e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Morën pjesë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi; ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku; si dhe nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini.
Ky takim vjen dy ditë para takimit në Ohër mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku pritet të diskutohet për planin e zbatimit të marrëveshjes së propozimit evropian.
Ndërsa nesër në mëngjes, Escobar do të zhvillojë takime me presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prag të takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Ohër, ka thënë se “nuk planifikon të nënshkruajë asgjë”.
Vuçiq në një adresim publik, tha se Beogradi “ende nuk ka marrë një draft se çfarë dëshiron Bashkimi Evropian” në negociatat për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.