Komisioni Shtetëror i Maturës (KShM) njofton se ka përfunduar provimi i Maturës 2024, të cilit iu nënshtruan rreth 19 mijë maturantë, ndërsa edhe kësaj here ka pasur maturant që janë përjashtuar nga provimi për shkak të përdorimit të telefonit. Kështu thuhet në njoftimin për media lëshuar nga Ministra e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
“Provimi i Maturës këtë vit është organizuar në 151 Qendra të Testimit, ku maturantët kanë qenë të sistemuar në 1500 klasa. Këtë vit kanë qenë të angazhuar 180 kryetarë të komisioneve të caktuar nga MASHTI, 1500 administrues dhe 1500 mbikëqyrës nga Parlamenti i studentëve të UP-së”, njofton MASHTI.
KShM, ndërkaq falënderojnë të gjithë akterët e përfshirë në procesin e testimit për kontributin e tyre në mbarëvajtje të procesit.
“Sipas raporteve të administratorëve, në disa Qendra ka pasur largim të nxënësve nga provimi për shkak të përdorimit të telefonave. Sa i përket të dhënave të tjera rreth administrimit, KShM do të raportojë pas përpunimit të të gjitha raporteve nga të gjitha Qendrat e Testimit në nivel vendi”, njofton MASHTI.
Rezultatet e Provimit të Maturës do të publikohen më 01.07.2024.
Ndryshe edhe kësaj here në rrjetet sociale është shpërndarë testi i maturës.