Përfundon intervistimi i Dejona Mihalit nga PSRK-ja, thotë se u intervistua për ta zbardhur të vërtetën

E publikuar: 20/09/2024 14:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas më shumë se tri orë, ka përfunduar intervistimi i Koordinatores së Komiteteve të Vetëvendosjes, Dejona Mihali nga Prokuroria Speciale.

Mihali ka thënë se ka ardhur “për t’i ndihmuar Prokurorisë Speciale”.

“Nga prokurori u intervistova për ta zbardhur të vërtetën”, tha ajo derisa nuk pranoi që t’iu përgjigjet gazetarëve se për cilën të vërtetë.

Prokuroria Speciale gjatë ditës ka bërë të ditur se Dejona Mihali është intervistuar në cilësinë e dëshmitares për disa çështje penale, të cilat kjo Prokurori i ka në hetim.

“Pas interesimit për të marr informacion nga një numër i madh i gazetarëve, Prokuroria Speciale informon se sot, Dejona Mihali, është paraqitur në Prokurorinë Speciale me ftesë të kësaj prokurorie. E njëjta është duke u intervistuar në cilësinë e dëshmitares për disa çështje penale, të cilat kjo prokurori i ka në hetim”, thuhet në njoftimin e PSRK-së./EO