Bankat komerciale kanë gjetur një treg të përshtatshëm dhe fitimprurës në Kosovë, thonë ekspertë për çështjet financiare, sipas të cilëve, mungesa e parave të gatshme dhe nevoja për kredi-marrje, ka bërë që sistemin bankar të jetë sektori më fitimprurës në Kosovë.
Sipas “Raportit të Stabilitetit Financiar”, publikuar ditë më parë nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, “bankat komerciale që operojnë në Kosovë, vazhdojnë të reflektojnë shkallë të lartë të qëndrueshmërisë, stabilitetit, por edhe përfitimeve.
Po sipas këtij raporti, 10 bankat komerciale në tregun e Kosovës, vetëm gjatë vitit 2014, kanë regjistruar profit neto në vlerë 60.1 milionë euro.
Milazim Abazi, ekspert për çështje financiare, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se përfitimet financiare të bankave sigurohen nga dallimi i madh në mes normave të kredive dhe depozitave.
“Edhe pse jemi dëshmitarë të uljes së kamatave të kredive në krahasim me vitin e kaluar, është një ulje prej 30 për qind. Kurse, ulja e kamatave në kursime, është disa herë më e lartë. Që do të thotë se interesat në depozita janë ulur për 500 për qind, kurse për kredi vetëm 30 për qind. Dhe, kjo është arsyeja kryesore pse bankat kanë fitime të mëdha”, thotë Abazi.
Se bankat komerciale janë në kulmin e fitimit sa i përket afarizmit, thotë edhe eksperti tjetër për çështje ekonomike, Naim Gashi. Edhe ai përmend kamatat e larta të interesit për kredi.
Gashi, ndërkaq, thotë se bankat komerciale në Kosovë po keqpërdorin vakuumin institucional dhe ligjor në Kosovë, pasi, sipas tij, bankat kanë krijuar marrëveshje të fshehura për të mbajtur çmimet e larta të kamatave dhe shërbimeve.
“Përveç këtyre, bankat komerciale pos që po e varfërojnë popullatën dhe po dëmtojnë afarizmin e bizneseve në Kosovë, ato kanë filluar një praktikë të dëmshme, e cila ka për qëllim t’i mashtrojë aksionarët e bankave komerciale, pasi klientët, të cilët kanë pamundësi të kthimit të kredive, po i lejojnë kredi të re, që të paguajë kredinë me kredi”, thekson Gashi.
Ndryshe, norma mesatare për kredi është 9.2 për qind, kurse për kursime 1.1 për qind.
Përveç normave të larta të interesit dhe normave të ulëta për depozita, Milazim Abazi përmend edhe disa arsye tjera, që bankat kanë përfitime të mëdha materiale në tregun e Kosovës.
“Bankat, duke mos pasur konkurrencë të mjaftueshme, mbajnë çmime të larta për shërbime dhe për çdo ditë kemi ankesa nga qytetarët se për çdo shërbim paguajnë 1.5 euro. Por, nëse nuk je klient i asaj banke, çmimet për shërbime janë edhe më të larta”, shton Abazi.
Si do që të jetë, struktura e sektorit bankar vazhdon të dominohet nga bankat me pronësi të huaj, nga gjithsej dhjetë banka të licencuara (përfshirë një me licencë preliminare), tetë janë me pronësi të huaj dhe menaxhojnë 90.4 për qind të gjithsej aseteve të sektorit dhe 93.1 për qind të gjithsej kapitalit të sektorit bankar, transmeton rel.
Pjesa më e madhe e aseteve të sektorit bankar menaxhohet nga dy bankat me origjinë nga Gjermania dhe Austria.