Lendi Mustafa, 21 vjeç, pjesëtar i komunitetit LGBTI, i është drejtuar masës së marshimit, duke thënë se kanë dashuri edhe për ata që i urrejnë.
Ai tha se po e ngre zërin për të gjithë ata që nuk mund të dëgjohen.
“Ky është momenti më i mirë në jetën time, këtu po e ngre zërin për krejt ata që nuk mund të dëgjohen, për të drejtën me qenë të barabartë, ne duam të jetojmë të lumtur pranë njëri-tjetrit dhe jo të nënçmojmë njëri-tjetrin. Në këtë botë ka hapësirë për dashuri dhe jo urrejtje, më shumë se urrejtja na duhet humanizmi. Nuk po flas vetëm për dashninë emocionale po për atë që gjithë njerëzimi mund ta ketë. Ne jemi këtu për me rrezatu dashni edhe për ata që na kundërshtojnë sepse besojmë edhe në diversitet, kemi dashni edhe për ata që na urrejnë”, tha Mustafa, raporton Express.
Numri i marshuesve është rritur, aty marrin pjesë edhe zyrtarë të lartë shtetërorë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Kushtetuta ua garanton të drejtat secilit komunitet, po ashtu edhe ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxha, tha se ky komunitet e ka mbështetjen e tyre, raporton Gazeta Express.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, sot ka njoftuar se për shkak të agjendës së ngjeshur nuk do të marrë pjesë në paradë.




















