Perëndimi përplaset me Rusinë në OKB për krizën në Bjellorusi

E publikuar: 12/11/2021 11:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Fuqitë perëndimore dhe disa shtete më të vogla evropiane janë përplasur me Rusinë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për krizën me emigrantë në Bjellorusi.Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca, Norvegjia, Irlanda dhe Estonia e ngritën çështjen e krizës me emigrantë gjatë takimit me dyer të mbyllura të organit me 15 shtete anëtare, shkruan France24, transmeton Gazeta Express.

“Ne e dënojmë instrumentalizimin e orkestruar të qenieve njerëzore, jeta dhe mirëqenia e të cilave është vënë në rrezik për qëllime politike nga Bjellorusia, me qëllimin që të destabilizohen shtetet fqinje dhe kufiri i jashtëm i Bashkimit Evropian dhe që të largohet vëmendja nga shkeljet në rritje të të drejtave të njeriut në atë shtet”, thuhet në deklaratën e përbashkët të vendeve perëndimore.

Bjellorusia ka paralajmëruar se kriza mund të eskalojë në përleshje ushtarake, përderisa Lituania, Estonia dhe Letonia kanë thënë se Bjellorusia përbën rrezik serioz për sigurinë evropiane.Zëvendësambasadori i Rusisë në OKB, Dmitry Polyanskiy, u tha gazetarëve para takimit të Këshillit të Sigurimit se ai beson që kolegët e tij perëndimorë në këtë organ “kanë një lloj të prirjeve mazohiste, sepse, për të ngritur një temë, që është turp i plotë për BE-në, para nesh do të ishte shumë e guximshme”.

I pyetur nëse Rusia apo Bjellorusia po ofrojnë ndihmë për lëvizjen e emigrantëve në drejtim të kufirit me Poloninë, Polyanskiy tha: “Jo, absolutisht jo.” Ai shtoi se nuk duhet që të gjitha problemet të trajtohen nga Këshilli i Sigurimit.

Ndryshe, Rusia e ka të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit dhe mund t’i bllokojë përpjekjet e mundshme të anëtareve tjera për t’i vendosur sanksione Bjellorusisë nga OKB-ja.