Përdhunojnë në grup adoleshenten, publikojnë videon

E publikuar: 27/05/2016 21:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia braziliane është vënë në ndjekje të më shumë se 30 meshkujve të dyshuar për përdhunimin e një adoleshenteje në Rio de Janeiro, duke e regjistruar ngjarjen e duke e publikuar videon nëpër rrjete sociale.

Vajza 16-vjeçare është shprehur se me siguri duhet të jetë droguar pasi kishte shkuar në shtëpinë e të dashurit të saj ditën e shtunë, teksa më pas ishte zgjuar në një tjetër shtëpi, e rrethuar prej agresorëve.

Policia ka lëshuar disa urdhërarreste, përfshi edhe për të dashurin e saj. Agresioni ka provokuar një fushatë nëpër rrjetet sociale kundër asaj që aktivistët e quajnë “kulturë të përdhunimit” në Brazil.

Mbi ngjarjen ka disa versione kontradiktore, por ngjarja besohet të ketë ndodhur në një prej zonave komunitare me popullsi të varfër, në Perëndim të Rios, gjatë fundjavës. Sipas deklaratës që ajo ka dhënë në polici, e dhunuara ishte zgjuar të dielën e zhveshur dhe e lënduar, teksa kishte mundur të paktën të rikthehej në shtëpinë e saj.

Deri këtu duket sikur do të ishte thjesht një histori e harruar, por vetëm pak ditë më vonë ai kishte zbuluar se përdhunuesit kishin publikuar imazhe dhe video të agresionit në “Twitter”. Videoja 40-sekondëshe ishte shpërndarë masivisht dhe ishte pasuar edhe me një valë komentesh me urrejtje ndaj femrave, përpara sesa llogaria e përdoruesit që e kishte publikuar të fshihej nga drejtuesit e rrjetit social.

Duke folur për mediet lokale, nëna e vajzës së përdhunuar tha se familja e saj e kishte parë videon dhe kishte qarë. “Bëra gabim që e pash atë video. Kur mësuam mbi ngjarjen nuk po besonim se ç’kishte ndodhur. Është një krim i madh dhe një situatë tepër depresive”, tha ajo për gazetën “Folha de Sao Paulo”. “Vajza nuk është mirë, është konfuze sepse kjo ishte një ngjarje e rëndë”.
/tch/