Përçarja e VV-së në Prishtinë: Drejtorë e asambleistë të Shpend Ahmetit, të ndarë për himnin e Kosovës

E publikuar: 05/03/2018 15:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Se Lëvizja Vetëvendosje po shkon çdo ditë e më shumë drejt ndarjes, u vërejt në debatin ndërmjet Dardan Molliqajt e Glauk Konjufcës para disa netësh.
Por më i diskutuari për pozicionimin e tij po vazhdon të mbetet kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ky i fundit ditë më parë në një emision televiziv nuk kishte siguruar se do të vazhdojë të mbetet kryetar i kryeqytetit nga radhët e Vetëvendosjes, raporton lajmi.net

Ahmeti duket se po e vëzhgon situatën në Kuvendin Komunal ku një dorëheqje e tij, do t’ia pamundësonte kalimin e ligjeve në komunë, nëse ato nuk i votojnë përkrahësit e Albin Kurtit.

Se ndarja është e pashmangshme edhe në kryeqytet, u vërejt edhe sot në seancën solemne të Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Në momentin e intonimit të himnit të Kosovës, një numër i asambleistëve të Shpend Ahmetit ishte në këmbë. Kurse pjesa tjetër hynë brenda pasi filloi himni kombëtar.

Himnin e Kosovës e respektuan edhe drejtorët e Ahmetit. Në mesin e tyre vërehet edhe drejtori i shëndetësisë, Arben Vitia, dhe pjesa tjetër e udhëheqjes komunale.

Një ndarje e tillë ishte parë edhe me 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Disa deputetë të VV-së qëndruan në sallën e Kuvendit, e disa tjerë hynë tek pas përfundimit të himnit të Kosovës.

Lajmi.net raportoi edhe më herët se një pjesë e madhe e asambleistëve nuk ishin pjesëmarrës në senacën e sotme solemne në Kuvendin e Prishtinës.

Kur ndarja po thellohet në partinë e Albin Kurtit, formimi i një partie të re nga të dorëhequrit duket çështje ditësh.

Momenti i himnit është nga minuta 8:00./Lajmi.net/