Për shndërrimin e FSK-së në Forcë të Armatosur duhen ende para

E publikuar: 20/11/2015 13:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) do t’i duhen edhe 5 milionë euro për vitin 2016, në rast të transformimit në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK).

Pavarësisht rritjes së buxhetit për Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK) dhe FSK-në, për vitin e ardhshëm, ky buxhet nuk mjafton për nevojat e zhvillimit të kësaj force në planifikimet afatgjata. Shqetësime për buxhetin, në Komisionin për Punë të Brendshme dhe Siguri, kanë shprehur edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilës i është zvogëluar buxheti për vitin 2016 për 5.59 për qind.

Sekretari i përgjithshëm në MFSK-së Shkëlzen Syla, para Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri, tha se sipas strategjisë legjislative të Qeverisë, me kohë i kanë dërguar edhe ligjet për Forcat e Armatosura të Kosovës.

Syla theksoi se për vitin e ardhshëm do të kenë buxhet shtesë për 9 për qind krahasuar me vitin aktual buxhetor, por përsëri nuk i plotëson nevojat e planifikuara.
“Në kuadër të planifikimeve që janë bërë për buxhetin e vitit 2016 për Ministrinë e Forcës, dhe për FSK-në, sipas kategorive të planifikuara është e miratuar nga Qeveria totali i buxhetit për vitin 2016, është 49 milionë e 250 mijë euro. Kërkesat buxhetore sipas planit afatgjatë zhvillimore, afatmesëm zhvillimor dhe sipas planit vjetor të buxhetit kanë qenë me të larta dhe sipas deklaratës financiare në rast të miratimit të ligjeve për FAK-un, do të ketë nevojë për buxhet shtesë me qëllim të përmbushjes së nevojave që janë planifikuar”, tha Syla.

Sekretari Syla ka shpjeguar edhe mjetet që do t’i duhen kësaj force në momentin e shndërrimit në Forca të Armatosura të Kosovës, gjë e cila iu kërkua nga deputeti i LDK-së, Anton Çuni.

Sipas Sylës, FSK-ja ka përgatitur planin deri në vitin 2025 dhe aty janë të paraqitura të gjitha vlerat buxhetore që do të nevojiten.

“Sipas planifikimeve të bëra në planin afatgjatë zhvillimor të Forcave të Armatosura të Kosovës ne kemi të kalkuluar çdo vit buxhetor sa duhet të jetë buxheti për t’i plotësuar nevojat elementare të Forcës, me qëllim të implementimit të planit afatgjatë zhvillimor.

Nga kjo del që ne i kemi edhe të nënshkruara deklaratën financiare nga ministri i Financave, që filluar nga viti 2016, vlera duhet të jetë 54 milionë euro, për vitin 2017 duhet të jetë 62 milionë e 64 mijë euro, ndërsa për vitin 2018 duhet të jetë 67 milionë e 964 euro. Do të thotë është e planifikuar kjo skemë sipas planit afatgjatë për të gjitha vitet deri në vitin 2025 dhe që totali i planifikuar për këtë zhvillim është i përshkruar në detaje për secilin vit”, tha Syla.

Në buxhetin e vitit 2016 të ndarë për Ministrinë dhe Forcën, në linjën e pagave dhe mëditjeve janë paraparë 21 milionë euro, në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve 8 milionë e 963 mijë euro, ndërsa për shpenzime kapitale janë paraparë 17 milionë euro, që ka ngritje për 3 milionë euro.

Mirëpo, deputeti Çuni ka paralajmëruar FSK-në se gjatë këtij mandati do të jenë me rigoroz në mbikëqyrjen e punës dhe zbatimit të ligjit nga FSK-ja, sepse në raportin e fundit të progresit kanë marr vërejtje ata si komision se kanë qenë subjektiv karshi kësaj force, për shkak të kolegjialitetit nga koha e ish UÇK-së.

“Një ndër vërejtjet është që disa pjesëtar të këtij komisioni të sigurisë si ish pjesëtar të UÇK-së, në raport me FSK-në dhe institucionet që ne i mbikëqyrim kemi qenë subjektiv për shkak të raporteve kolegjiale e tjera. Unë pajtohem me këtë vlerësim. Është e vërtetë se në disa situata kemi shikuar ndërmjet gishtave.

Mos e merrni si ndonjë kërcënim por për t’i shtyrë proceset përpara se kam dëshirë t’iu paralajmëroj se këtë mandat si komision do të jemi me të përkushtuar në mbikëqyrje të ligjeve që duhet t’i zbatoni si institucion. Prandaj mos të gjendeni të befasuar që ne përdorim të gjitha mekanizmat ligjor për të mbikëqyr punën e juaj si institucion, posaçërisht përdorimin e fondeve që janë dedikuar për zhvillimin e FSK-së”, theksoi Çuni.

Shqetësime për buxhetin e vitit 2016 kanë paraqitur edhe përfaqësuesit e institucionit tjetër të sigurisë Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB). Drejtoresha e buxhetit në MPB, Drita Xheladini tha se kësaj ministrie i është zvogëluar buxheti për 5.59 për qind.

“Buxheti që është aprovuar në Qeveri për MPB-në është i zvogëluar për 5.59 për qind, do të thotë është shkurtuar në paga dhe mallra dhe shërbime. Kështu që buxheti total për MPB-në është 109 milionë, e 123 mijë euro. Ndërsa kërkesat shtesë me vlerësimet që kemi bërë pas dëgjimeve buxhetore me Ministrinë e Financave janë 31 milionë e 614 mijë euro, buxhet shtesë që është kërkuar duke e arsyetuar në bazë të misioneve dhe aktiviteteve të Ministrisë. Kërkesat shtesë që janë të domosdoshme e kanë ngritur këtë shumë të kërkesave shtesë që nuk ka mundur të hyjë në buxhetin e vlerësuar, janë të PK, uniforma për PK-në dhe janë kërkesa shtesë tek ligji për përgjimet e PK-së”, theksoi ajo.

Shqetësime për mungesë buxheti paraqiti edhe Mexhid Dragusha, drejtor i divizionit të buxhetit në Policinë e Kosovës, sipas të cilit do të k rijoj vështirësi në arritjen e objektivave të PK-së.
“Ka ardhur me një kërkesë që për nga vlera ka qenë e madhe, por për nga nevoja ka qenë modeste, duke pasur parasysh proceset nëpër të cilat po kalon Policia e Kosovës, sfidat e sigurisë si të brendshme ashtu edhe të jashtme, për të cilat e dimë. Mirëpo, të kërkesat shtesë që kemi pasur jemi detyruar që të përgjysmojmë vlerën, normalisht që kjo do të ndikoj në vështirësi në arritjen e objektivave të Policisë së Kosovës.

Mirëpo, po kësaj shqetësuese për PK-në është edhe zbritja që i është bërë brenda kornizës për mallra dhe shërbime diku mbi 1 milion që ndikon në projektin e uniformave. Do të kisha kërkuar nga Komisioni që ky buxhet i PK-së të ngritët”, tha Dragusha.

Edhe deputeti Nuredin Ibishi, kërkoi që të funksionalizohet Policia Rezervë, e cila do të ketë nevojë për buxhet shtesë.

“Një çështje që e kam ngritur unë gjithashtu janë bërë projektet për Policinë rezervë. Kjo strukturë asnjëherë nuk është jetësuar, nuk është funksionalizuar, edhe këtu do të ketë nevojë për buxhet shtesë, pastaj është nevoja për ngritje të kapaciteteve, trajnimet bazike për punën policore, sidomos kur policia po merr shumë nga aspekti i punës operative, të asistencës, apo në raste të gjendjeve që mund të paraqitet, gjendje emergjente, të jashtëzakonshme atëherë është masë e domosdoshme aspekti i ngritjes së kësaj strukture”, tha Ibishi.

Vërejtjet e tyre i kanë paraqitur edhe drejtori i Akademisë Policore të Kosovës, si dhe përfaqësuesi i Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.