Për rimëkëmbjen ekonomike ekspertët kërkojnë të hartohet pakoja e tretë

E publikuar: 12/12/2020 13:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas hyrjes në fuqi të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, njohës të ekonomisë dhe opozita kërkojnë nga Qeveria të nxjerr edhe një pako të tretë për rimëkëmbje ekonomike që është më gjithëpërfshirëse për qytetarët dhe bizneset.

Marrë parasysh vonesat për miratimin e Planit për rimëkëmbje ekonomike, partia më e madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje po pretendon se kjo Qeveri nuk ka vullnet dhe aftësi që të nxjerrë edhe një pako të re për mbështetjen e qytetarëve dhe bizneseve në pandemi.

Ndonëse, kryeministri Avdullah Hoti ka paralajmëruar se për vitin 2021, kjo qeveri ka paraparë një pako të re për rimëkëmbjen në shumën prej 182 milionë euro.

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Hekuran Murati thotë se kjo Qeveri nuk ka planifikim dhe strategji për shëndetësi dhe plan për shpëtimin e ekonomisë si pasojë e pandemisë Covid-19.

Murati: Qeveria është e pa aftë të nxjerr edhe një pako të re

Video

“Qeveria është e paaftë të mendojë për pako sesi t’i ndihmojë ekonomisë së vendit dhe është e shkëputur nga realiteti, sepse e shohim që edhe vendimet për mbyllje, vendimet për masat janë ad-hok. Nuk ka planifikim, nuk ka strategji dhe çdo vendim në aspektin shëndetësor do të duhej të përcillej edhe me një plan në aspektin ekonomik… Sa i përket pakove të tjera, po shihet që kjo qeveri as me pakon e dytë-pakon e rimëkëmbjes që është miratuar nuk po dinë se si ta ekzekutojnë”, tha ai.

Ndërsa, deputeti i PDK-së, Kujtim Gashi thotë se Kosova ishte dashur që tashmë ta ketë një pako të tretë ose të katërt për rimëkëmbje, pasi siç tha ai kështu kanë vepruar edhe vendet e rajonit.

Gashi thekson se me këtë neglizhencë që ka treguar qeveria, i ka sjellë dëme jashtëzakonisht të mëdha vendit dhe ekonomisë së saj.

Ndërsa, shton se PDK-ja nuk do ta mbështesë miratimin e buxhetit, pasi sipas kësaj partie, nuk është paraparë mbështetje për menaxhimin e pandemisë dhe ekonomisë në tërësi.

“Kosova ishte dashur që tashmë ta ketë një pako të tretë ose të katërt për rimëkëmbje, sepse kështu kanë vepruar edhe vendet e rajonit. Me këtë neglizhencë që ka treguar qeveria, i ka sjellë dëme jashtëzakonisht të mëdha vendit… Në analizat e para, projektligji nuk jep ndonjë indikator të saktë sesi do të menaxhohet pandemia dhe si do të ndihmohet ekonomia. Normalisht që do të jemi kundër, sepse nuk mund të jemi ne pjesë e improvizimeve që i bën Qeveria Hoti”, thotë Gashi.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu pohon se Qeveria duhet të ketë një qasje të re për ta mbështetur ekonominë dhe sektorin privat.

Gërxhaliu tha se është koha që të hartohet një pako e re më gjithëpërfshirës dhe më mbështetëse për interesat e qytetarëve dhe kompanive.

“Duhet një qasje e re, një ri-renditje e re për të mbështetur ekonominë dhe sektorin privat. Për këtë arsye është koha që të draftohet një (pako) e re, e cila është më konkrete, me gjithëpërfshirëse, më ndihmuese për interesat të të gjithëve dhe jo vetëm në interes të partive politike”, pohon Gërxhaliu.

Kryeministri Avdullah Hoti ditë më parë ka paralajmëruar një pako të re për rimëkëmbje ekonomike për vitin 2021, në shumë prej 182 milionë euro, si dhe për një listë të reformave për një pako të re fiskale, të cilat pritet të finalizohen në fillim të vitit të ardhshëm.

“Ne jemi të detyruar që edhe në vitin e ardhshëm të parashohim një fond për rimëkëmbjen ekonomike të cilin e kemi bërë pjesë të buxhetit në vlerë prej 182 milionë, po i cili do të rritet, besoj që gjatë dy leximeve në Kuvend do ta rrisim më tutje dhe gjithashtu jemi duke diskutuar edhe me donatorë, partnerë tanë zhvillimor për t’i bërë bashkë të gjitha fondet në funksion të rimëkëmbjen ekonomike. Krejt fokusi jonë gjatë kësaj periudhe ka qenë që ne t’iu ndihmojmë familjeve, t’iu ndihmojmë bizneseve që në një farë mënyre të qëndrojnë në treg“, tha ai.

Ndërsa, zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi thotë për KosovaPress, se kjo ministri nuk ka paraparë të nxjerrë pako të tretë për rimëkëmbje, përveç pakos për rimëkëmbje ekonomike me fonde shtesë për shëndetësi.

“Është në kuadër të pakos për rimëkëmbje ekonomike. Ne nuk kemi ndarë pako të parë, dytë dhe tretë. Është një pako për rimëkëmbje ekonomike dhe brenda kësaj pakoje ka qenë edhe ajo pakoja emergjente. Një pjesë e pakos emergjente ka filluar të implementohet këtë vit, një pesë do të implmentohet vitin e ardhshëm, duke shtuar çdo herë nevojën që disa fonde shtesë duhet të mbesin për shëndetësi”, thekson Krasniqi.

Profesori në Fakultetin Ekonomik, Nagip Skënderi, thotë për KosovaPress, se është e nevojshme pako e tretë e cila do të duhej të përmbante stimuj për mbështetjen e sektorit privat të cilët kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe social.

Ai ka kërkuar nga Qeveria dhe institucionet përkatëse që mos të lejojnë të ketë keqpërdorime nga përfituesit e mundshme të planit ekonomik.

“Pakoja e tretë do të duhej të përmbajë stimuj ose mbështetja për sektorin privat të cilët kanë qenë më të prekur nga pandemia… Syçelë do të duhej të jenë edhe institucionet që përfituesit vërtet të jenë ata të cilët e meritojnë dhe përmes kontributit të tyre ekonomik me ruajtur standardin ekonomik dhe social të vendit në tërësi”, tha ai.

Ndërsa, edhe komuniteti i biznesit vazhdimisht ka kërkuar mbështetjen e qeverisë për bizneset dhe punëtorët, që u sfiduan me pandeminë Covid-19./I.Shabani/