Për një vit, 835 vdekje të parakohshme nga ndotja e ajrit

E publikuar: 26/08/2015 10:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Edhe pse shteti i Kosovës tashmë disa vite me radhë po mbledhë mjete në emër të mbrojtjes së mjedisit, situata në teren flet për degradim të vazhdueshëm të mjedisit dhe për shumë pak investime për një mjedis më të mirë.

Sa herë që qytetarët regjistrojnë veturat e tyre, ata janë të detyruar të paguajnë një taksë, e cila quhet “taksë ekologjike”. Vlerësohet se brenda vitit nga kjo taksë mblidhen dy deri tre milionë euro nga regjistrimi i automjeteve, por pavarësisht kësaj, cilësia e ajrit në Kosovë nuk është përmirësuar pasi këto mjete thuaja fare nuk investohen për ekologji, por derdhen në buxhetin e Kosovës dhe nuk i kthehen ambientit.

Për qytetarët e Kosovës ndotja e ajrit vazhdon edhe më tutje të jetë shqetësim i madh dhe veçmas në disa komuna të cilat tashmë njihen për ndotje më të madhe të ajrit..

Drejtori i Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kosovë, Skënder Syla, përmend disa faktor që në Kosovë e ndotin ajrin dhe ndër ta dy termocentralet që i përkasin Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) me djegien e thëngjillit dhe me deponitë e mëdha të hirit, pastaj komplekset e tjera industriale, si Parku Industrial i Trepçës në Mitrovicë; “Ferronikeli” në Drenas; fabrika e çimentos në Han të Elezit; kompanitë e ngrohjes publike në Prishtinë, Gjakovë dhe Mitrovicë, e kështu me radhë.

Sipas Sylës edhe pse është vështirë të nxirren statistika të drejtpërdrejta në mungesë të funksionimit të mirëfilltë të sistemit të informimit shëndetësor, nga përllogaritjet indirekte të bëra nga Banka Botërore dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, si dhe bazuar në koeficientet e reagimit në ekspozim, koncentriket vjetore ambientale të PM (grimcave të imta në ajër) dhe të dhëna mbi popullatën e ekspozuar del se në Kosovë brenda vitit shkaktojnë 835 vdekje të parakohshme, 310 raste të reja të bronhitit kronik, 600 pranime në spital, dhe 11.600 vizita në emergjencë.

“Para dy vitesh OBSH ka bërë një vlerësim gjithëpërfshirës të mjedisit në Kosovë pasi këto ndërlidhen me ndotjen e ajrit. Në këtë vlerësim është paraparë reduktimi i ndotjes së ajrit nga transporti dhe industria veçmas nga termocentralet e KEK-ut, reduktimi i ekspozimit të plumbit, posaçërisht në Mitrovicë, sigurimi i furnizimit me ujë të sigurt të pijes dhe me sanitacion adekuat, zvogëlimi i rreziqeve afatgjata për shëndetin nga hedhja e mbeturinave dhe kontaminimi i tokës.
Gjithahstu është paraparë edhe vlerësimi i rreziqeve për shëndetin në të ardhmen nga ekspozimet kimike si pasojë e aktiviteteve industriale, fuqizimi i shëndetit në punë dhe krijimi i shërbimeve shëndetësore themelore të punës, vlerësimi i pabarazive në shpërndarjen e rreziqeve mjedisore dhe të punës në mesin e popullsisë dhe ekzistojnë mundësitë për zbatim të plotë të këtyre politikave të parapara vetëm duhet vullnet politik dhe mbështetje financiare”, thotë Syla për KosovaLive.

Ambientalisti Daut Maloku e pohon cilësinë e dobët të ajrit në Kosovë në ndikimin e së cilës përveç termocentraleve, që akoma kryesojnë top listën, përmend problemet që paraqesin “Ferronikeli” e “Trepça”, e cila për momentin nuk lëshon gazra ne ajër, mirëpo pasojat janë në tokë dhe në ujë dhe në ajër përmes erërave nga metalet e rënda që janë shumë të rrezikshme.

Problem tjetër, sipas tij, që vazhdimisht është në rritje dhe afër jetës së njerëzve është komunikacioni sidomos në qendër të Prishtinës që është shumë i dendur dhe me lejimin e importimit të automjeteve të vjetra krijohet një cilësi e ajrit, e cila është larg standardeve.

“Sado që duket se është përmirësuar situata ekologjike, besoj që vetëm sa ajo po përkeqësohet, sidomos kur e marrim parasysh numrin e automobilave brenda vendeve urbane pra në qytete.

Prej 2020 do të investohen miliarda në ‘Evropën ekologjike’, në ngritjen e cilësisë së ajrit, ndaljen e ndotjeve. Ne ndoshta nuk kemi shumë para për ketë, por ka edhe mundësi të tjera për ngritjen e cilësisë së ajrit nëpër qytete. Një gjë e tillë bëhet përmes gjelbërimeve, mbëltimit të fidanëve, lulëzimeve të hapësirave, të cilat e ngritin cilësinë e ajrit.

Nëse ka vullnet dhe dashuri mund të arrihet shumë, pasi investimet në gjelbërimin e ambientit nuk janë aq të shtrenjta, ndërsa ato ndikojnë drejt për drejt dhe shpejt në mikroklimë”, ka thënë Maloku.

Sipas tij, taksa ekologjike, e cila paguhet nga qytetarët do të mjaftonte për investime në gjelbërimin e ambientit. Mirëpo, ai vëren se kjo taksë nuk është e destinuar fare për ekologji. Ajo derdhet në “thesin e shqyer”, pra në buxhetin e Kosovës dhe thuaja asnjëherë nuk i kthehet ambientit.

“Ne kemi kërkuar që taksa e tillë të shkojë për investime në ambient, në ngritjen e cilësisë së ajrit sepse nëse investon në ngritjen e cilësisë së ajrit ke investuar edhe në shëndet edhe kështu do të ketë më pak sëmundje më pak harxhime të buxhetit për sëmundje. Por, nuk po ndodh ashtu akoma, ajo taksë derdhet në buxhetin e shtetit pa destinim.

Sipas standardeve duhet të ketë 15 metra katrorë gjelbërim për kokë banori, aty ku jeton njeriu, është fjala për gjelbërim të lartë, jo vetëm bari, ndërsa në Kosovë kemi gjelbërim të tillë 10 herë më pak, ndërsa ndotje të ajrit 10 herë më shumë. Pra Kosova është larg standardit normal për një jetë të qëndrueshme e të mbrojtur”, shtoi tutje Maloku.

Pulmologu Skënder Baca thotë për KosovaLive se cilësia e dobët e ajrit është element që shkakton sëmundje të ndryshme edhe kronike, si anemia, astma dhe kanceri i mushkërive.

“Cilësia e dobët e ajrit ndikon shumë në shfaqjen e anemisë dhe kur kemi parasysh që në Kosovë gjatë vitit ka rreth 40 mijë shtatzëna, atëherë mund të merret me mend çfarë vuajtje kanë këto shtatzëna për shkak të anemisë. Pastaj vinë sëmundjet kronike konstruktive, obstruktive. Ajri i ndotur po ashtu ndikon në paraqitjen e astmës dhe në mënyrë direkte në paraqitjen e ataqeve, të cilat zgjasin shumë dhe përsëriten shpesh gjatë vitit dhe kanceri i mushkërive për të cilën sëmundje duhet pasur parasysh që faktori kryesor është duhanpirja, por në rend të dytë është ndotja e ambientit ose kontakti me elementet kimike kancerogjene në vendin e punës.

Kohëve të fundit vërehet rritje e numrit të sëmurëve me kancer në çdo organ të njerëzve, si pasojë e duhanpirjes, por edhe për shkak të ndotjes së ambientit, gjë që është element shqetësues në rrethanat tona”, thotë Baca.

Drejtori i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit (AMMK), Ilir Morina, thotë për KosovaLive se janë 11 ose 12 stacione për cilësinë e ajrit, të cilat paraqesin një gjendje me tejkalime të lehta të vlerave maksimale të krijuara në mjediset e Kosovës. KEK-u është në kufij të tejkalimeve sidomos në tre muajt e parë të vitit, në të cilët KEK-u punon me kapacitete maksimale, për këtë arsye ka tejkalime të normave, por jo si më parë.

“Çdo qytet karakterizohet me tejkalime të lehta të pluhurit gjë që ndodh edhe në vendet e tjera të Ballkanit. Bie fjala, Sofia, Shkupi, Tetova, Elbasani dhe Tirana janë më të ndotura se Prishtina. Ne e dimë që Prishtina është një ndër qytetet më të ndotura të Kosovës. Për të zvogëluar ndotjen e ajrit ne jemi duke futur nën kontroll të gjithë industrinë. Në KEK duhet investuar më shumë në rinovim, sepse pluhurat që shpërndahen përreth ndikojnë në florë e faunë, ujë, tokë, ajër dhe më shumë në shëndetin e popullatës së vendit pasi janë ndikues të vdekjeve”, shton Morina.

Sipas tij, deri më tani në Kosovë janë 12 stacione për matjen e ndotjes së ajrit. Nga Komisioni Evropian kanë qenë të rekomandueshme tetë stacione, ndërkaq Kosova i ka 12 të tillë. Është mirë të ketë më shumë stacione të tilla dhe sipas tij Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit është duke u munduar të shtojnë numrin e tyre pasi duhet një angazhim më i madh në këtë drejtim në mënyrë që ajri të jetë më i kënaqshëm.