Rezultatet e anketës ‘Pulsi Publik’ nga marsi 2015 tregojnë rënie të përgjithshme të kënaqshmërisë së njerëzve me punën e institucioneve kyçe ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore të Kosovës. Një prej shpjegimeve të mundshme për pakënaqësinë e lartë me institucionet në nëntor 2014 ishte ngërçi politik, i cili zgjati më shumë se tetë muaj.
Sidoqoftë, të dhënat më të fundit tregojnë që pakënaqësia me institucionet mbetet e lartë, pavarësisht funksionimit të institucioneve që nga dhjetori i vitit të kaluar. Vetëm 21% e kosovarëve janë të kënaqur me institucionet kyçe të Kosovës, krahasuar me 46% në prill të vitit 2014.
Më pak se 24% e kosovarëve kanë deklaruar se janë të kënaqur me punën e Kryeministrit (krahasuar me 34% sa ishin në nëntor 2014 dhe 48.5% në prill të vitit 2014). Vetëm 18% e tyre kanë deklaruar se janë të kënaqur me punën e institucioneve qendrore (krahasuar me 44% në prill të vitit 2014).
Sa i përket institucioneve legjislative, vetëm 19% e kosovarëve janë të kënaqur me punën e Kuvendit, ndërkaq 20% janë të kënaqur me performancën e Kryetarit të Kuvendit (krahasuar me 46.5% dhe 58% respektivisht gjatë prillit të vitit 2014).
Edhe pse Presidentja gëzon nivelin më të lartë të kënaqshmërisë nga qytetarët, ky nivel i kënaqshmërisë gjithashtu ka pësuar rënie me kalimin e kohës. Anketat aktuale tregojnë se vetëm 30% e kosovarëve janë të kënaqur me punën e Presidentes (krahasuar me 40% në nëntor të vitit 2014).
Presidentja, kryetari i Kuvendit, kryeministri dhe institucionet qendrore kanë arritur nivelin më të ulët të kënaqshmërisë së qytetarëve që nga marsi i vitit 2007.
Niveli i kënaqshmërisë me Gjyqësorin gjithashtu nuk bën përjashtim në trendin në rënie me institucionet tjera kyçe.
Niveli i kënaqshmërisë me punën e gjykatave kosovare dhe prokurorisë ka rënë me rreth 6 dhe 5 për qind respektivisht që nga nëntori i vitit 2014.
Duhet theksuar se niveli i kënaqshmërisë me Gjyqësorin është më i ulëti në krahasim me të gjitha institucionet tjera, që tregon se humbja e besimit në zbatimin e ligjit ka ndikuar gjithashtu në nivelin e kënaqshmërisë me institucionet dhe fushat tjera. /Telegrafi/