“Për Kosovën s’ka parime”, Vuçiq me tone përçmuese ndaj deklaratave të Trump në Davos

E publikuar: 25/01/2026 21:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka komentuar me tone skeptike dhe herë-herë përçmuese paraqitjen e presidentit amerikan Donald Trump në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, duke thënë se audienca nuk reagoi ndaj humorit dhe “akrobacive” të tij, në një atmosferë që sipas Vuçiqit ishte e mbushur me frikë dhe pasiguri globale.

Duke folur për përshtypjet nga Davosi, Vuçiq tha se Trump është “simpatik” dhe di si ta bëjë audiencën të qeshë, por se këtë herë përballë kishte një publik shumë serioz, i cili nuk reagoi siç ishte mësuar.

“Trump është simpatik, ai di si ta bëjë audiencën të qeshë, por audienca atje është shumë serioze dhe njerëzit nuk reagojnë gjithmonë ndaj akrobacive. Nuk më ka ndodhur kurrë të dëgjoja kaq pak reagime, kurrë më bosh”, tha Vuçiq.

Ai përshkroi Davosin si një vend ku dominonte frika, duke përmendur drejtuesit e kompanive më të mëdha teknologjike amerikane.

“Pashë humorin e njerëzve. Ishin njerëzit më të fuqishëm, krerët e kompanive si Nvidia dhe gjigantë të tjerë teknologjikë. Kurrë nuk kam parë një botë më të frikësuar, më nervoze dhe me më pak dëshirë për të marrë pjesë. Të gjithë donin të strehoheshin”, u shpreh presidenti serb, shkruajnë mediat serbe.

Vuçiq: Trump e nxori hapur se nuk ka parime për Kosovën

Në deklaratat e tij, Vuçiq u ndal edhe te Kosova, duke thënë se sipas tij, politika amerikane, përfshirë atë të Trumpit, nuk bazohet në parime.

“Në lidhje me Kosovën, nuk ka parime. Trump e nxori hapur. Na treguan histori boshe për katastrofa humanitare. Të mëdhenjtë do të vazhdojnë të luftojnë”, tha ai, duke shtuar se Serbia, sipas tij, po përpiqet të shohë drejt së ardhmes përmes analizave strategjike.

Megjithatë, Vuçiq u përpoq të balancojë kritikat me vlerësime pozitive për SHBA-në, duke thënë se është “mirënjohës” për disa vendime amerikane ndaj Serbisë.

Vuçiq përsëriti narrativën e tij të njohur për rënien e fuqisë evropiane, duke theksuar se Serbia, pavarësisht gjithçkaje, nuk ka alternativë tjetër gjeopolitike.

“Fuqia evropiane do të bjerë, kjo është e qartë për të gjithë. Ne nuk kemi vend tjetër përveç Evropës ku jetojmë. A do të marrim diçka nëse themi se jemi në rrugën lindore? Kemi marrëdhëniet më të mira me Kinën, por çfarë tjetër mund të bëjmë?”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se politika e tij mbetet ajo evropiane, por gjithmonë duke mbrojtur interesat e Serbisë, duke lënë të hapur edhe mundësinë e ndryshimeve politike në të ardhmen, por vetëm përmes zgjedhjeve.