Astrit Gashi
Gjithçka përfundoi kur me një buzëqeshje të lehtë, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, lexoi “Jo-në” e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për ndryshimin e ligjeve që mundësonin themelimin e Dhomave të Posaçme për Krimet e Luftës në Kosovë.
Pasoi një gong dhe një thirrje “Seanca mbyllet” që shënoi edhe fundin e një dite të gjatë parlamentare, përplot fjalime e replika të ashpra, përplot personalizime e familjarizime me shumë e shumë patetizëm e folklorizëm.
Nuhatej, por ishte plotësisht befasues për shumëkënd, votimi kundër Themelimit të Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës këtë të premte.
Qeveria e tanishme dhe një shumicë e kualifikuar në Kuvendin e Kosovës që e krijoi atë, kishte argumentin kryesor të bërjes së saj pikërisht mundësinë e mëpas edhe fuqinë e votës për të formuar këtë gjykatë-prandaj vendimi nuk ka se si të mos jetë befasues deri në momentin e fundit.
Kosova por edhe shumë politikanë të saj, përfshirë këtu edhe ndonjë parlamentar të mundshëm, janë mbajtur nën ethe që më shumë se 1 vit nga vendimi i Kuvendit për themelimin e kësaj Gjykate. Natyrisht që këto ethe ndaj atyre që shihen si kryes të mundshëm të krimeve dhe të akuzuar potencialë, nuk marrin fund këtu.
Hetimi i prokurorit amerikan Clint Williamson bazuar në Raportin e Dick Martyt të aprovuar nga KE, rezultatet e të cilit u paraqitën vjeshtën e shkuar, dosido do të përfundojë me një proces gjyqësor, dhe atë një që nuk udhëhiqet nga kosovarët, që ky do bëhet me një vendim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së apo të ndonjë mekanizmi tjetër.
Pra gjumë të rehatshëm e mungesë ethesh zor që do të ketë për cilindo që mund të jetë pjesë e raportit të Williamson kur ai të shëndërrohet në aktakuzë.
Pyetja qendrore është pra: përse Kuvendi sot nuk votoi themelimin e Gjykatës Speciale dhe përgjigja në të nuk është jo vetëm aspak e lehtë, por as edhe fare e sigurtë!
Argumentet se një pjesë e deputetëve nuk donin ta ngrisnin dorën për të themeluar një gjykatë që mund ti burgosë ata- janë të sfidueshme sepse një pjesë e njerëzve aty, përfshirë edhe ata në mesin e PDK, nuk ka gjasa dhe as nuk janë dëgjuar në kuloare të jenë përmendur si të akuzuar potencialë në këtë Gjykatë.
Më tëpër se kaq, arsyeja më e fortë personale (pra nuk po i trajtojmë në këtë shkrim arsyet e përgjithshme dhe idealiste të mundshme) pse shtyu sot deputetët të votojnë kundër themelimit nga Kuvendi të Gjykatës Speciala, është se ata me mendjen dhe veprimin e tyre nuk deshën t’i japin përfitime e kredibilitet politik të themelimit të kësaj gjykate dikujt apo disave që udhëheqin në Kosovë.
Këtu dhe në këtë pikë me gjasë duket të ketë qenë edhe pika që bashkoi- ndaras por me votën kundër edhe opozitën dhe një pjesë të madhe të deputetëve të PDK-së, pa votën e të cilëve epilogu i sotëm nuk do të ishte i mundshëm.
Në opinion, përfshirë këtu edhe deputet nga të gjitha partitë, tok me tylifarë emra të akuzuarish potencialë, kanë qarkulluar edhe fjalë e emra konkretë se cilët mund ta kenë negociuar “lirinë” nga kjo gjykatë. Një gjë kjo krejtësisht e pabesueshme, jo vetëm për mua, por edhe për cilindo që mund të besojë verbërisht se gjyqësia nuk mund të ndikohet kaq lehtas nga politika vendore- edhe atë pa ardhur momenti deri aty.
Në tërë këtë mesele këtij “konspiracioni” të disave nga të gjitha palët, u vinte në ndihmë edhe historia. Kryesisht këto histori personale, premtimesh e mosmbajtje të tyre, histori akuzash e aktakuzash- që sërish në një botë normale do të ishin vetëmse rrëfime nga mesjeta.
Por ato dhanë efektin e tyre sot. Deputetët e Kosovës, që votuan kundër- bënë ballë që të gjykohen edhe nga një institucion i Këshillit të Sigurimit, vetëm e vëtëm që të sigurohen në mendjen e tyre që askush nuk do të jetë mbi kali pas këtij vendimi! Nëse kjo “Jo” e sotme e bërë nga opozita dhe deputetë të “radhës së dytë” të PDK-së do ta ketë bumerangun. Për kënd e si- mbetet të shihet në orët, ditët dhe javët në vijim!