Për herë të parë në histori – Maqedonia e Veriut do të ketë kryeministër shqiptar

E publikuar: 08/12/2023 18:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari aktual i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi pritet të bëhet kryeministri i ri i vendit nga 28 janari i vitit të ardhshëm.

Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i BDI-së, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, pas mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie në Tetovë.

Ai tha se qëndrimi i Xhaferit në postin e kryeministrit pritet të jetë deri në zgjedhjet e reja të përgjithshme në vend, që pritet të mbahen më 8 maj, 2024.

“BDI propozon Talat Xhaferin si kryeministër i Qeverisë e cila do të jetë në fuqi nga fundi i janarit e deri në zgjedhjen e Qeverisë së re”, deklaroi Osmani.

Më tej u tha se posti i Kryetarit të Kuvendit do të propozohet nga partnerët e koalicionit qeverisës, që më shumë gjasë do të jetë nga radhët e LSDM-së.

Lidhur me koalicionet parazgjedhore të mundshme, sipas Osmanit, organet e partisë kanë autorizuar kreun e partisë, Ali Ahmetin që të vazhdojë negociatat dhe t’i propozojë partisë përcaktimin me të cilin do të shkohet në zgjedhje.

“Ne i analizuam të gjitha opsione dhe variantet e mundshme për pjesëmarrje, si parti e vetme dhe si pjesë e Frontit Evropian dhe u autorizua kryetari Ali Ahmeti t’i vazhdojë bisedimet dhe t’i propozojë partisë një vendim i cili do të aprovohet në organet e partisë”, shtoi Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Në vitin 2020, kryetari i atëhershëm i LSDM-së, Zoran Zaev dhe kryetari i BDI-së Ali Ahmeti patën arritur marrëveshjen për formimin e koalicionit qeveritar.

Marrëveshja kishte për bazë mandatin katërvjeçar të kryeministrit ku Zoran Zaev do ta ushtrojë këtë detyrë. Por në 100 ditët e fundit, qeveria do të udhëhiqet nga kryeministër shqiptar i propozuar nga BDI.

Megjithatë, pas zgjedhjeve lokale në vend tetorin e vitit 2021, Zaevi pati dhënë dorëheqje nga drejtimi partisë si dhe nga drejtimi i qeverisë.

Atë e kishte pasuar Dimitar Kovaçevski, si në drejtimin e partisë, ashtu edhe në ekzekutiv. /Klankosova/alsat/mediat