Në seancën e sotme të “Grupit Drenica”, kryetari i trupit gjykues Darius Sielicki bëri të ditur se aktgjykimi për këtë rast pritet të shpallet më 27 maj.
Sot përveç njoftimit për shpallje të aktgjykimit, fjalën përfundimtare e paraqiti Arianit Koci, avokati i Sami Lushtakut.
Ai ishte i gjashti në radhën e avokatëve që paraqitën këtë fjalë, të cilën pesë kolegët e tij e përfunduan një javë më parë.
Koci në gjykatore tregoi pse po akuzohet klienti i tij.
“I pandehuri Sami Lushtaku ngarkohet me veprën penale krime lufte kundër popullatës civile kinse në cilësinë e tij si pjesëtar i UÇK-së dhe si person që kinse ushtronte kontroll në qendrën e ndalimit në Likovc,” tha Koci.
Pas seancës, avokati Koci tha për KALLXO.com se beson që ia ka mbushur mendjen trupit gjykues që Sami Lushtaku është i pafajshëm.
“Argumentet kanë qenë të fuqishme dhe besoj së është bindur trupi gjykues në pafajinë e zotërisë Lushtaku. Sido që të jetë aktgjykimi do të merret më 27 maj dhe nuk është etike të elaboroj dhe të flas për aktgjykim para shpalljes se tij,” theksoi Koci.
Nesër fjalën përfundimtare pritet ta paraqesë Gregory Guy Smith, avokati i Sylejman Selimit.
Në këtë proces gjyqësor për krime lufte përveç Lushtakut e Selimit akuzohen edhe Sabit Geci, Sahit Jashari, Ismet Haxha, Avni Zabeli dhe Jahir Demaku.