Në gjashtë mujorin e parë të vitit 2015 në Kosovë janë sekuestruar 83 asete të cilat mbajnë vlerën prej 16 milionë euro
Prej tyre, 68 janë të konfirmuara, derisa për shumën prej 40 mijë euro ende është duke u pritë vendimi. E 129 asete, që përfshijnë vitin 2014 e 2015, ende nuk janë nën menaxhim të Agjencionit. Në kuadër të projektit me financim nga Bashkimi Evropian, Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara(AAPSK) bashkë me akterët tjerë në çështjen e konfiskimit dhe sekuestrimit të pasurisë, diskutuan sot për të arriturat e projektit të kësaj Agjencie.
Në këtë diskutim u tha se statistikat këtë vit janë më të mira si viti i kaluar.
Kryeshefi ekzekutivi i AAPSK-së, Rrahim Rama tha gjykatat janë duke e rritë numrin e rasteve të konfiskimit dhe sekuestrimit.
Ai tha se në fund të këtij viti Agjencisë do t’i dorëzohet baza e të dhënave e cila është në konstruktim e sipër. Sipas tij, kjo do të ndihmojë Agjencinë që të menaxhojë më mirë pasuritë nën administrimin e tyre.
Zëvendësdrejtori i projektit, Andrea D’Angelo tha se në vitin 2014 problemi rrënjësor ka qenë faza e mbledhjes së të dhënave, e që situatë të ngjashme kanë edhe këtë vit.
Për t’i nxjerrë këto shifra, ai tha se kanë bërë një vlerësim në bazë të çmimit të tregut.
Në këtë tryezë ku u diskutua rreth shfrytëzimit të aseteve të cilat burojnë nga vepra penale, krim i organizuar, u tha se Kosova e ka mundësinë ligjore qe të ndjekë shembullin e Italisë.
Pra, ligji në Kosovë i lejon gjykatat që pasuritë e konfiskuara të shfrytëzohen për nevoja të institucioneve të Kosovës.
Kryeshefi, Rrahim Rama tha se do t’i propozojnë Qeverisë që të themelohet një komision ndërqeveritar për ri-përdorimin e aseteve të konfiskuara.