
SRBIJA SKUPSTINA VLADA RASPRAVA
Ky nënshkrim i vënë në mbështetje të deklaratës së Kuvendit të Kosovës për pavarësi të plotë kushtetuese në kuadër të Federatës së Jugosllavisë i kushtoi Sahit Shalës me largim nga puna.
Ish-Sekretari i Komisionit për Provimin e Jurisprudencës, Sahit Shala, në një intervistë për ekipin e KTV-së dhe “Betimi për Drejtësi”, ka rrëfyer se si në vitin 89 kishte braktisur Komisionin e Jurisprudencës, duke lënë mbrapa të gjithë librat dhe gjithçka tjetër që lidhej me këtë provim në duart e masave të dhunshme.
Mban mend që punën e tij e ka marrë Rada Dimetrieviq, derisa sekretar krahinor ishte emëruar, Gjorgje Jakshiq.
Sipas tij, që nga viti 1990, Komisioni për Jurisprudencën ishte i pastër etnikisht.
Shumë vite më vonë, Sahiti ka marrë në duar librin e jurisprudencës dhe pranon se i ka mbyllur vitet edhe për kohën sa ishte i përjashtuar. Ai thotë se këtë e bëri për t’i ikur mundësisë së manipulimeve të mundshme.
Shala, i cili për 11 vjet punoi me Komisionin e Jurisprudencës, thotë se asnjëherë nuk ka bërë përmirësime të tilla, siç shihen në dosjen e Lumezit, sepse një gjë e tillë, sipas tij, ka qenë e ndaluar me ligj.
Një tjetër detaj që ai thotë ta ketë vërejtur është fakti se nënshkrimi i Sekretarit Krahinor për Jurisprudencën, Gjorgje Jakshiq, nuk është vetëm në certifikatën e Judikaturës së kryeprokurorit Lumezi por edhe në dosjen e Lumezit si pjesë e komisionit çka, sipas tij, nuk ka qenë e mundur.
Shala tutje ka sqaruar se procedurat ia ndalojnë kandidatit që ka rënë në Lëndën Penale e Civile të hyjë në provimin me gojë.
Edhe Ligji për provimin e Judikaturës i vitit 1977 e ndalon një gjë të tillë.
KTV-ja ka gjetur këtë ligj në gazetën zyrtare të vitit 1997 dhe neni 12 i saj thotë qartë se kandidati që ka rënë nga provimi mund të dalë në provim vetëm pas gjashtë muajve.
Sipas dosjes së provimit të jurisprudencës së Aleksandër Lumezit, aty thuhet se kryeprokurori ka hyrë në riprovim me datë 24 prill, në lëndët Penale e Civile.
Ndryshe, Prokuroria tashmë ka nisur hetime. Vet Shala është marrë në pyetje për rreth 3 orë nga Policia e Kosovës. Në pyetje është marrë edhe drejtori i Arkivit, Ruzhdi Panxha.
Derisa sot gjatë ditës, Policia ka marrë edhe origjinalin e librit amzë, që ndodhej në Ministrinë e Drejtësisë.


















