Avokati Ardian Bajraktari ka thënë se narrativa të tilla si kjo e ekspozitës së Shkëlzen Gashit, me shumë të pavërteta lidhur me luftën, nuk duhet të kenë vend në sheshet e Kosovës.
Ai ka thënë se prokuroria duhet të bëjë vlerësim nëse ekzistojnë elemente të veprës penale të nxitjes së përçarjes.
“Qasjet përmes të cilave tentohet të relativizohet lufta si vlerë sublime e jona dhe të deformohet realiteti historik nuk mund dhe nuk duhet të tolerohen. Në këtë kontekst, është e arsyeshme që prokuroria të fillojë punën e saj në drejtim të grumbullimit të informatave dhe vlerësimit nëse ekzistojnë elementet e veprës penale, me shumë gjasë ‘Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit’, e paraparë me nenin 141 të Kodit Penal”, u shpreh ai.
Bajraktari ka deklaruar se për këtë vepër penale, Kodi parasheh dënim me gjobë ose burgim deri në pesë vite burgim.
“Thelbi i kësaj vepre penale qëndron në ndalimin e nxitjes apo përhapjes publike të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit ndërmjet grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike apo grupeve të tjera të përcaktuara mbi bazën e karakteristikave personale. Për këtë vepër, Kodi parasheh dënim me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet”, tha ai.


















