Oda Veterinare e Kosovës vlerëson se është momenti i fundit që institucionet gjegjëse të merren me trajtimin e qenve endacakë dhe që suksesi mund të arrihet vetëm nëse të gjithë angazhohen për përgjegjësitë që u takojnë.
Për dështimin e vënies nën kontroll të qenve endacak përveç buxhetit të pamjaftueshëm ata konsiderojnë se me këtë çështje nuk janë marrë persona profesionistë.
Oda Veterinare e Kosovës thotë se për katër vjet mund të jenë nën kontroll të plotë qentë endacak.
“Trajtimi i qenve endacakë sipas metodës CNVR të lartcekur pamundëson rritjen e popullacionit përmes reproduktimit të tyre dhe për një kohë prej 4-5 vite do t’i kemi plotësisht nën kontroll qentë endacakë”, thekson OVK në një deklaratë për opinionin publik pas alarmit se qytetarët në shumë pjesë të vendit janë të rrezikuar nga qentë endacak.
















