Me gjithë ankesat e kërkesat e vazhdueshme të pensionistëve dhe përfaqësuesve të tyre, për ndryshim të Udhëzimit administrativ me numër 15/2013 për paraqitjen, suspendimin, riaktivizimin, riaplikimin dhe ndërprerjet e pagesave të pensionit themelor pas vdekjes së pensionistit, ai vazhdon të mbetet i njëjti.
Në bazë të këtij Udhëzimi çdo gjashtë muaj secili pensionist e ka për obligim paraqitjen në zyrat më të afërta të Departamentit të Pensionistëve. E në rast se nuk paraqitet ai suspendohet dhe pensioni në mënyrë retroaktive nuk i jepet nëse ai nuk paraqitet që është gjallë brenda vitit buxhetor. Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale, jo që nuk ka marrë asnjë hap për ndryshim të këtij udhëzimi, por ka njoftuar se janë në procedurë të hartimit të një udhëzimi që edhe personat me aftësi të kufizuara do t’i detyrojë që të paraqiten sikurse pensionistët.
Seniha Spahiu, mësimdhënëse në pension e UP-së, pasi që është vonuar në paraqitjen pas suspendimit, për rreth një javë, ka humbur të drejtën e shfrytëzimit të pensioneve për gjashtë muaj të vitit të kaluar, në një vlerë të përgjithshme prej 840 eurove.
Ajo ka bërë një kërkesë për pagesë të pensioneve të ndalura, në të cilën ka sqaruar edhe arsyet e mosparaqitjes. “Në këtë kohë nuk jam paraqitur në Ent për verifikim të identitetit. Deri te ky lëshim, nga ana ime, ka ardhur për arsye të moskujdesit tim. Meqenëse në xhirollogarinë time, përveç pensionit kam dhe kursime të tjera, nuk e kam vërejtur ndalesën e pensionit”, ka shkruar ajo në kërkesën e saj. Spahiu ka thënë se në atë kohë ka qenë edhe e sëmurë.