Rritja e pensioneve në Kosovë këtë vit (pensionistë kontributdhënës), sipas ministrit Abrashi, është një nga shumë skemat që i ka Qeveria e Kosovës, rrjedhimisht ka të bëjë me një kategori të pensionistëve, që në numër janë 40 mijë sosh, apo me një rritje natyrale deri në 41 mijë.
“Pensionistë kontributdhënës janë të gjitha ata që kanë dhënë kontribut edhe para vitit 1999, saktësisht 15 vjet para 1999-tës”, ka thënë Abrashi në “Rubikon” të KTV-së, duke shtuar se qeveria me një vendim ka bërë që t’u njihet përvoja e punës edhe për ata që kanë shkollim fillor, duke e rritur bazën në 158 euro, të cilës sipas tij, do t’i shtohen edhe kalkulimet e koeficiente tjerë, transmeton Koha.net.
Dorëzimi i dokumenteve nga ana e pensionistëve është shtyrë, shtoi Abrashi, ngaqë shumë prej tyre i kanë humbur e që duhet edhe t’i gjejnë apo edhe t’i nxjerrin përsëri. E gjitha kjo, sipas tij, do të përfundoj në muajin shkurt apo mars.
“Për ata që i dorëzojnë dokumentet më vonë, paratë do t’u jepen edhe nga muajt parapak”, ka sqaruar ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Pensioni për dikë që ka shkollim të lartë (fakultet) dhe ka 15 vjet më së paku përvojë punë do të sillet nga 235-240 euro.