Klodi Lesi, vrasësi i gruas së tij më 7 janar në Greqi, është shfaqur i penduar dhe në gjendje të rëndë psikologjike para hetuesve.
“Ajo që bëra ishte e tmerrshme, nuk duhet ta kisha bërë. Jeta ime ka marrë fund, nuk dua të jetoj më. Shkatërrova fëmijët e mi”, ka thënë Lesi, i cili më pas është dërguar në qeli dhe ndodhet nën monitorim, pasi ekziston frika se mund të kryejë vetëvrasje.
Ai më tej zbuloi se kërkonte të largohej drejt Shqipërisë së bashku me djalin e tij katërvjeçar, por nuk mundi për shkak të postblloqeve.
Ndërkaq, në Greqi janë ngritur akuza të shumta ndaj policisë për faktin se për 18 ditë me radhë nuk mundi ta kapte të arratisurin, edhe pse ai ndodhej vetëm një kilometër larg vendit të krimit.
Dëshmitarët thoshin se e kishin parë në shumë vende Klodi Lesin së bashku me djalin e mitur, si në Athinë, Janinë apo edhe pranë kufirit me Shqipërinë. Por e vërteta ishte krejt ndryshe. Klodi Lesi nuk shkoi asgjëkund pas vrasjes, por u fsheh në një banesë një kilometër larg vendit ku masakroi të shoqen me shtatë goditje thike në trup dhe kokë, shkruajnë mediat në Shqipëri.