Nënpresidenti amerikan, Mike Pence, u ka thënë liderëve evropianë se Shtetet e Bashkuara “tani dhe gjithmonë do të jenë aleati juaj më i madh”, duke u munduar kështu që të heqë shqetësimet rreth përkushtimit të Uashingtonit ndaj lidhjeve transatlantike nën udhëheqjen e presidentit Donald Trump.
Duke folur të shtunën në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Pence ka thënë se “lidhja e qëndrueshme” ndërmjet SHBA-së dhe Evropës është ndërtuar jo vetëm mbi “fuqinë e armëve”, por edhe mbi idetë e përbashkëta dhe parimet që ne i duam shumë: lirinë, demokracinë, drejtësinë dhe sundimin e ligjit”.
Ai ka thënë se e ka sjellë një mesazh nga Trumpi: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përkrahin fuqishëm NATO-n, dhe nuk do të lëkunden” në përkrahjen për këtë aleancë.
Në të njëjtën kohë, Pence disa herë e ka përsëritur thirrjen e Trumpit për aleatët evropianë që të kryejnë obligimin e tyre rreth shpenzimeve për mbrojtjen ushtarake, duke kujtuar se vetëm pesë vende anëtare të NATO-s e kanë arritur cakun e shfrytëzimit të 2 për qind të Bruto Prodhimit Vendor për ushtrinë.
“Ka ardhur koha që të bëhet më shumë”, ka thënë në këtë drejtim, Pence.
Ai ka thënë se SHBA-ja “do ta mbajë Rusinë përgjegjëse” për ndërhyrjen në Ukrainë ndonëse kërkon bashkëpunim me Moskën, që Trump ka thënë se beson se do ta arrijë.
Rusia duhet t’i përmbahet marrëveshjes për armëpushim të Minskut të arritur në vitin 2015 dhe duhet patjetër të fillojë të ndikojë në qetësimin e situatës në Ukrainën lindore, ka thënë më tej Pence.
Ai ka theksuar se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara që Iran të mos arrijë të ndërtojë armë bërthamore dhe të luftojë “terrorizmin e Islamit radikal”, si dhe kërcënimet nga armiqtë e tjerë që janë krijuar pas fundit të Luftës së Ftohtë, rreth një çerek shekulli më parë.
Fokusi i konferencës së këtij viti për siguri në Mynih të Gjermanisë ka qenë frika se administrata e Trumpit mund të humbasë lidhjet amerikane me Evropën, të tërheqë përkrahjen amerikane për NATO-n dhe të sakrifikojë interesat e vendeve nga Ukraina e deri tek Evropa Perëndimore, në të mirë të përmirësimit të marrëdhënieve me Rusinë.
Këto shqetësime janë ngritur pas deklarimeve të Trumpit, i cili gjatë vitit të kaluar ka shprehur entuziazëm për largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian, e ka quajtur NATO-n, të vjetruar, ka shprehur admirim për presidentin rus, Vladimir Putin dhe ka sugjeruar që ai mund të heqë sanksionet ndaj Moskës që janë vënë për shkak të veprimeve agresive ndaj Ukrainës.
Pence ka kujtuar lidhjen e fuqishme që ekziston ndërmjet SHBA-së dhe Evropës, duke përdorur anekdota rreth dy vizitave të tij të mëparshme në Gjermani.
Gjatë Luftës së Ftohtë, ai ka kaluar nga Evropa Perëndimore në Gjermaninë lindore, ndërsa herën e dytë e ka vizituar Gjermaninë pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, ku ka parë lule dhe shenja të tjera të vendosura në solidarizim me amerikanët.
“Evropa ka qëndruar përkrah Shteteve të Bashkuara gjatë asaj kohe”, ka thënë Pence, duke shtuar se “populli amerikan do jetë përgjithmonë mirënjohës”.
Por, ai ka paralajmëruar Evropën se “paqja arrihet vetëm përmes fuqizimit” dhe se “mbrojtja e Evropës e kërkon përkushtimin tuaj po aq sa të amerikanëve”.
“Shtetet e Bashkuara do të jenë të fuqishme, më të fuqishme se ndonjëherë më parë”, ka thënë ai duke përmendur planin e Uashingtonit për të shpenzuar më shumë për ushtrinë.
Pence ka folur para të pranishmëve në Konferencën e Sigurisë në Mynih pak pas fjalimit të kancelares gjermane, Angela Merkel, e cila ka thënë se mbetet e përkushtuar për të plotësuar kushtin e shpenzimeve për ushtrinë që është caktuar në vitin 2014.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se shtetet perëndimore duhet të mbrojnë parimet e integritetit territorial dhe NATO duhet të fuqizojë zonën lindore, në kufi me Rusinë pas ndërhyrjeve të Moskës në Ukrainë.
Duke folur në konferencën e sigurisë që po mbahet në Mynih, Merkel ka thënë se integriteti territorial është baza esenciale e rregullit pas Luftës së Dytë Botërore.
Ajo ka theksuar se ka “frikë të madhe” rreth situatës në Ukrainën lindore, ku që gati tre vjet po luftojnë forcat qeveritare të Kievit me separatistët pro Kremlinit, konflikt ky që e pasoi aneksimin që i bëri Moska gadishullit ukrainas të Krimesë.
Mbi 9,750 njerëz janë vrarë prejse ka nisur lufta në Ukrainën lindore në mes të forcave qeveritare të Kievit dhe separatistëve pro Kremlinit.
Këto veprime ruse e “theksojnë” rëndësinë e NATO-s, ka thënë Merkel, duke e bërë të qartë se aleanca veri-atlantike duhet të fuqizojë zonën lindore të saj.
Merkel ka thënë se ajo mbetet e përkushtuar për të kërkuar zgjidhje politike për konfliktin në Ukrainën lindore dhe përkrahë marrëveshjen e vitit 2015 të arritur në Minsk.
Kancelarja ka deklaruar se mbetet e përkushtuar ndaj kushtit që çdo vend anëtar i NATO-s të shpenzojë 2 % të Bruto Prodhimit Vendor për ushtrinë.
Merkel ka thënë se ajo dëshiron marrëdhënie të mira me Rusinë dhe beson se është interes i përbashkët që Rusia dhe perëndimi të luftojnë terrorizmin ndërkombëtar.
Kancelarja gjermane ka thënë se vendet e perëndimit e kanë “përgjegjësinë” që të pranojnë refugjatë dhe të trajtojnë rrënjën e problemit pse njerëzit largohen nga vendet e tyre.
Ndërsa, pas nënpresidentit amerikan, Pence ka folur sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ka thënë se Evropa ka nevojë për Amerikën Veriore po aq sa ka nevojë Amerika për Evropën.
“Nuk mendoj se Amerika e Para nënkupton një Amerikë të vetmuar”, ka thënë Stoltenberg duke kujtuar pjesën e fjalimit të presidentit Trump gjatë inaugurimit të këtij të fundit në fund të janarit.