Ka gjithmonë një herë të parë. Pero Pejic iu desh të priste plot 4 vjet për të shënuar rrjetën e parë personale në Europë. Bomberi kroat që ka pushtuar zemrat e tifozëve kuksianë, nuk ishte evidentuar asnjëherë më parë me një skuadër shqiptare si golashënues në ndeshjet ndërkombëtare. Ndaj Torpedos, lojtari i lindur në Makarska shijoi ndjesinë e lumturisë europiane duke i dhënë fund shterpësisë që kishte bllokuar edhe këmbët e tij në ndeshjet vendimtare edhe pse moralisht ai ishte shumë i ngarkuar.
Ishte fillimisht Flamurtari ku Pejic nuk bindi në Europë, ndërsa më pas edhe pse Skënderbeu ia dha shansin, shtatlarti nuk arriti të zhbllokohej nën himnin kontinental. Në këtë mënyrë, Pero gjen qetësinë që të dhuron goli dhe tashmë rruga për shënuesin më të mirë të Kategorisë Superiore është e hapur. 31 golat e shënuar në kampinat, tashmë e kanë një kuptim sepse është Pejic lideri i kësaj skuadre edhe pse e ardhmja e tij mbetet ende në dyshim. Vetë lojtari për mikrofonin e Supersport konfirmoi se do të studiojë ofertat e ardhura në adresë të tij. Një këmbanë alarmi për drejtuesit e klubit verilindor edhe pse Karioka tregoi se ka klasin dhe vlerat e një lojtari të rëndësishëm për Kukësin e së ardhmes.