Peci: Sivjet nis projekti më i madh investiv në Mitrovicën e pasluftës, impianti i ujërave të zeza rreth 40 milionë euro

E publikuar: 01/02/2026 13:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka njoftuar se gjatë këtij viti do të nisë realizimi i projektit më të madh investiv në Mitrovicën e pasluftës, ndërtimi i Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Zeza, me vlerë rreth 40 milionë euro.

“Këtë vit fillon projekti më i madh investiv në Mitrovicën e pasluftës. Sivjet nis projekti ‘Impianti i Trajtimit të Ujërave të Zeza’, në vlerë prej rreth 40 milionë euro”, ka shkruar Peci.

Ai theksoi se përmes këtij projekti pritet të përmirësohet ndjeshëm gjendja mjedisore në qytet, duke bërë që lumenjtë e Mitrovicës të jenë të pastër.

“Lumenjtë e qytetit do të jenë të pastër”, ka theksuar kryetari i Mitrovicës.

Sipas Pecit, ndërtimi i këtij impianti do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në ruajtjen e mjedisit dhe biodiversitetit në komunë.

“Së bashku me Kryeshefin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit ‘Mitrovica’, z. Bashkim Kurti, pamë nga afër lokacionin për ndërtimin e këtij impianti, i cili do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në ruajtjen e mjedisit, për një Mitrovicë më të gjelbër, përkatësisht në ruajtjen e florës dhe faunës”, ka shkruar ai.

Peci vlerësoi se ky investim do të sjellë transformim të plotë të Mitrovicës në aspektin mjedisor.

“Ky investim do ta transformojë tërësisht Mitrovicën në aspektin mjedisor”, ka shtuar Peci.