Peci: Sa më shumë t’i afrohemi datës 26 korrik reflektimi do të jetë prej të gjithëve

E publikuar: 13/07/2025 14:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i LVV-së, njëherësh ministri në detyrë i bujqësisë, Faton Peci, pas dështimit të seancës së 46-të, duke ironizuar, tha se ka filluar t’i pëlqejnë partitë e tjera që po kërkojnë debat, pasi që i duhen shumë seanca kuvendit për të diskutuar një mori çështjesh që presin zgjidhje e adresim.

Pasi që 26 korriku është duke u afruar, një datë e cila Gjykata Kushtetuese e ka dhënë si aktvendim për konstituim të Kuvendit të Kosovës, Peci tha se sa më shumë që afrohet kjo datë, reflektimi do të jetë prej të gjithëve.

Peci tha se deputetët e partive politike po shkelin kushtetutën duke mos marrë pjesë në procesin e votimit.

“Pas disa përpjekjeve, mua kanë filluar të më pëlqejnë partitë politike opozitare që po dëshirojnë debatin, por megjithatë për të shkuar deri tek një debat në aspektin ligjorë dhe kushtetues ne duhet të përmbushim detyrimin tonë kushtetues që nënkupton konsituimin e kuvendit. Shumë seanca i duhen Kuvendit të Kosovës për të diskutuar një mori çështjesh dhe temash që presin zgjidhje e adresim, në funksion të kësaj, deputetët e partive politike që në vazhdimësi në çdo seancë po bëjnë shkelje kushtetuese duke mos marrë pjesë në procesin e votimit duhet të bëjnë një hap fillestarë që është marrja pjesë në proces të votimit që të kemi kryetarin e kuvendit e kryesinë”, tha Peci.

Tutje, Peci tha se është ende e paqartë se çka ka nënkuptuar Gjykata Kushtetuese me 30 ditëshin e saj, duke theksuar se nuk dihet se cili do të jetë interpretimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Vazhdon të jetë e paqartë, nuk është ende e saktë e definuar se çka nënkuptohet me 30 ditëshin prej përpjekjes së parë për konstituimin e kuvendit për faktin që dihet se seanca e parë ka qenë 15 prill. Për këtë situatë çfarë kemi aktualisht nuk e dimë se cili do të jetë interpretimi i Gjykatës Kushtetuese… Sa më shumë t’i afrohemi datës 26 korrik reflektimi do të jetë prej të gjithëve’’, shtoi Peci.

Sipas Pecit disa parti politike kanë filluar të reflektojnë, duke mos përmendur emrat e tyre.