Faton Peci, kryetar i Këshillit Organizativ për shënimin e 8 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, i ftuar në Interaktiv të KTV-së, ka folur rreth organizimit për shënimin e kësaj feste.
Ai ka komentuar edhe veprimin e Komunës së Prishtinës e cila kishte lejuar vendosjen e pankartave propaganduese për protestën e paralajmëruar nga partitë opozitare për 17 shkurt.
Peci, që njëherësh është edhe këshilltar i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Kulturës Kujtim Shala, ka thënë se kanë kontaktuar me Komunën e Prishtinës të cilët thotë se fillimisht janë shprehur të gatshëm të bashkëpunojnë.
“Fillimisht kemi marrë përgjigje pozitive, por në momentin kur e kemi dërguar e-mailin e dytë me kërkesat tona specifike për vendosjen e simboleve shtetërore në sheshet e qendrës së qytetit, ne nuk kemi marrë më përgjigje dhe ka pasuar vendosja e materialeve propagandistike të protestës”, ka thënë Peci, raporton Koha.net.
Ndërkaq, thotë ta kenë çuar këtë çështje nëpër zyrat ligjore të institucioneve shtetërore, prej ku kanë marrë përgjigje se në bazë të Ligjit për Festat Zyrtare dhe për Simbolet Shtetërore, sheshet u takojnë organizimit të kremtes.
Peci tha se veprimet e këtilla nuk i shërbejnë as qytetarëve e as vetë udhëheqësve të Komunës, ndërsa veprimet e tyre i quajti të turpshme.
Faton Peci, këshilltar i zv/kryeministrit dhe Ministrit të Kulturës, Kujtim Shala, ka thënë se Komuna ka bërë mirë që i ka hequr këto materiale propagandistike, pasi në të kundërtën tha se Qeveria do t’i hiqte ato megjithatë.
“Mirë kanë bërë që i kanë larguar, por edhe nëse nuk do t’i largonin, do t’i hiqnim ne vet”, ka deklaruar Peci.


















