Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka reaguar sërish duke i publikuar emrat e disa anëtarëve të partive si LDK, PDK, por edhe të partive tjera që përfituan grante nga kjo ministri.
Sipas asaj që ka publikuar Peci, vlera e këtyre granteve kap vlerën e 1 milion e 833 mijë e 25 euro.
“Pse dikush duhet të privojë të afërmit e akterëve të VV-së të përfitojë? Me cilin rregull? Bazuar në cilin ligj?!”, tha ai.
“Përkundër dëshirës sime që të mos merrem me emra të përvetshëm, më duhet t’i demaskoj të gjithë zhurmuesit me vetë faktin se në qeverisjen tonë angazhimi politik nuk përbën pengesë në realizimin e së drejtës për aplikim dhe përfitim, duke mos e diskriminuar askënd mirëpo duke e trajtuar secilin në mënyrë meritore dhe të barabartë”, u shpreh ndër të tjera i pari i MBPZHR-së.
Më herët, Faton Peci, përmes një reagimi në Facebook tha se që disa ditë është cak i sulmeve kryesisht nga dy parti, LDK e PDK.