Ish-diplomati kosovar, Lulzim Peci, parasheh “ditë të ngrysura” dhe me “pasoja të parapshikuara”, si pasojë e zhvillimeve të fundit në vend.
Peci i ka komentuar tensionet që po zhvillohen në terren në veri të Kosovës dhe në fushën diplomatike, pas dënimeve publike që Perëndimi ia bëri futjes së kryetarëve shqiptarë në objektet e tri komunave veriore, me ndihmën e njësisë speciale.
Ish-diplomati kosovar ka shkruar sot se nga konflikti me Serbinë, Kosova po shkon drejt një përplasjeje “katastrofale” me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Si po duket nuk jemi duke e kuptuar një gjë, dhe atë që nga konflikti me Serbinë jemi duke shkuar drejt përplasjes katastrofale me SHBA-të”, ka shkruar Peci.
Ai thotë se pasojat në ditët e ardhshme mund të jenë “të paparishikuara”.
“Ditë të ngrysura janë para neve, dhe atë me pasoja te paparashikuara! Kurrë në jetë nuk kam menduar që do të vijmë në këtë ditë!”, ka shkruar ai.
Të premten, kryetarët shqiptarë të zgjedhur nga një numër i vogël i qytetarëve të Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, kanë hyrë në objektet e komunave, përkundër rezistencës së një grupi të banorëve lokalë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më pas misionet e tjera diplomatike të shteteve që konsiderohen aleate të Kosovës, e kanë dënuar vendimin për hyrjen, sipas tyre, të dhunshme, të kryetarëve në komuna. Ka reaguar edhe Sekretari amerikan, Antony Blinken, i cili ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që menjëherë të tërhiqet nga vendimi për t’i futur kryetarët në objekte përmes njësisë speciale.