Peci: Mitrovica do të bëhet me spital të ri

E publikuar: 29/01/2026 22:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka njoftuar se qyteti do të bëhet me spital të ri.

Ai ka njoftuar se të enjten ka pritur në takim ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, me të cilin ka diskutuar për gjendjen e sektorit të shëndetësisë dhe projektet që Ministria e Shëndetësisë planifikon t’i realizojë në Mitrovicë.

Sipas Pecit, në fokus të diskutimeve ka qenë ecuria dhe dinamika e projektit për ndërtimin e spitalit të ri.

Ai ka theksuar se implementimi i projektit do të nisë sapo të formohet qeveria e re.

“Spitali i ri, me hapësira moderne dhe me të gjitha shërbimet shëndetësore, do të realizohet, ndërsa implementimi i tij do të fillojë sapo Qeveria Kurti 3 të formohet”, ka shkruar Peci në Facebook.

Gjatë takimit thuhet se është shqyrtuar edhe mundësia e zhvendosjes së ambulancave specialistike nga Spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës në hapësira të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.