Peci: Kosova synon integrimin e plotë në vlerat evropiane për të kontribuuar në aspektin ekonomik

E publikuar: 16/05/2023 12:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, tha se Kosova e Austria e kanë një të përbashkët, e që sipas tij, është rruga drejt lirisë, raporton Ekonomia Online.

Në ceremoninë e Themelimit të Shoqatës së Miqësisë Austriako-Kosovare, Peci tha se me themelimin e kësaj shoqate, janë hedhur themelet për partneritet më të begatë në sektorë të ndryshëm ndërmjet dyja vendeve.

Sipas tij, Kosova mund të marrë shembull nga përvoja e Austrinë në shumë sektorë. Peci shtoi se Kosova synon të arrijë në mesin e vendeve e kombeve evropiane, për të vazhduar për të kontribuuar në aspektin ekonomik.

“Duke organizuar ngjarje, konferenca dhe iniciativa të ndryshme, ju keni mbledhur ekspertë e aktorë të ndryshëm të vendimmarrjes nga të gjitha vendet, duke krijuar mundësi për bashkëpunim të mëtutjeshëm. Angazhimi juaj për të ndërtuar ura miqësie ka hedhur themelet për partneritet më të begatë në sektorë të ndryshëm ndërmjet dyja vendeve, duke përfshirë këtë rast edhe sektorin e bujqësisë”.

“Kosova dhe Austria ndajnë një histori plotë sfida. Austria ka ecur në rrugën e lirisë duke rifituar pavarësinë dhe sovranitetin e saj dhe më vonë duke qenë në qendër të integrimit evropian. Ashtu sikurse Austria edhe vendi jonë Kosova, synon ta arrijë integrimin e plotë në vlerat evropiane. Kosova synon të arrijë në mesin e vendeve e kombeve evropiane, për të vazhduar për të kontribuuar në aspektin ekonomik si pjesë ose element i paqes dhe stabilitetit dhe të zgjerojë mundësitë për qytetarët tanë”, u shpreh Peci.

“Si Austria edhe Kosova e kuptojnë rëndësinë e partneriteteve të forta. Prandaj, themelimi i shoqatës Kosovë-Austri shërben si një moment i rëndësishëm për Kosovën dhe ku mund të marrë frymë nga historitë e suksesit të Austrisë”, tha tutje Peci.