PDK uzurpon edhe një pozitë të pavarur – marrin pozitën e drejtorit financiar të Ujësjellësit

E publikuar: 10/09/2016 11:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtori i ri Financiar në Ujësjellësin Rajonal Prishtina, Sokol Duraku dha dorëheqje nga pozita e Këshilltari Komunal të PDK-së në Fushë Kosovë, një ditë pasi që e mori këtë detyrë. Kurse Ligji për Ndërmarrje publike parasheh që të mos ushtrohet asnjë aktivitet si zyrtar i zgjedhur publik e as post në ndonjë parti politike, 36 muaj para aplikimit për drejtor.

Sokol Duraku, që figuron si anëtarë i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Këshilltarë komunal i kësaj partie në komunën e Fushë Kosovës, është zgjedhur drejtor kryesor Financiar në Ujësjellësin Rajonal Prishtina.

Bordi i drejtorëve i kësaj ndërmarrjeje, me 31 gusht e ka shpallur Durakun si kandidatin më të suksesshëm në konkursin publik, shkruan Insajderi.

Sipas vendimit të Bordit, Duraku ka nisur zyrtarisht punën si drejtor Financiar të enjten me 8 shtator. Ai në këtë pozitë ka qenë edhe ushtrues detyre që nga muaji mars i këtij viti.

Duraku do të menaxhoj financat e KUR “Prishtina” për tre vitet e ardhshme.

I kontaktuar nga Gazeta Insajderi, Sokol Duraku  tha se ka dhënë dorëheqje nga pozita e këshilltarit komunal në Fushë Kosovë, një ditë pasi u zgjodh drejtor Financiar.

“Me 31 jam zgjedh si drejtor e 1 shtator e kam dorëzu dorëheqjen në Kuvendin Komunal të Fushë Kosovës edhe në Agjencionin Kundërkorrupsion që me i informu se unë nga ai moment e kam marrë detyrën e re”, tha Duraku.