PDK reagon para takimit në Ohër: Marrëveshja e propozuar aktuale është e pamjaftueshme

E publikuar: 17/03/2023 21:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partia Demokratike e Kosovës, një ditë përpara takimit të Ohrit mes Kosovës e Serbisë, ka thënë se kjo marrëveshje është e pamjaftueshme dhe nuk realizon qëllimet shtetërore të Kosovës.

Kreu i kësaj partie, Memli Krasniqi, tha se nga një marrëveshje me njohjen e ndërsjellë në qendër, sot Kurti i ka sjellë vendit një marrëveshje të përkohshme me asociacion në qendër.

“Partia Demokratike e Kosovës beson se vetëm një marrëveshje finale dhe gjithëpërfshirëse, ligjërisht e obligueshme dhe e garantuar ndërkombëtarisht, e përqendruar në njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mundëson paqe të qëndrueshme dhe avancim konkret të integrimit euro-atlantik të Republikës së Kosovës”, thuhet në deklarataën e Këshillit Drejtues të PDK-së.

Tutje, sipas PDK-së, situate aktuale është pasojë e qasjes, siç e quajtën ata, të papërgjegjshme të kryeministrit Kurti, dhe gabimeve të njëpasnjëshme në dialog e në raport me partnerët ndërkombëtarë.

“Ne besojmë se marrëveshja duhet të ruaj karakterin unitar të shtetit tonë, brenda rregullimit aktual kushtetues, si dhe të krijojë mundësitë reale për njohjen formale të shtetësisë së Kosovës nga ana e pesë shteteve mosnjohëse të BE-së, nisjen e procesit të anëtarësimit në NATO, fillimisht përmes pjesëmarrjes në “Partneritet për Paqe”, si dhe marrjen e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në BE, pa u larguar nga respektimi i marrëveshjeve të arritura më pare”, thuhet në deklaratë.